114 vjet më parë lindi Nonda Bulka

114 vjet më parë lindi Nonda Bulka

Më 18 maj 1906 lindi, Nonda Bulka, shkrimtar, atdhetar, pedagog e demokrat. Ka marrë pjesë aktive në krijimtarinë letrare publicistike në vitet ‘30 të shekullit XX dhe është dalluar me humorin e satirat e tij kundër regjimit të kohës, të cilat i botonte nën pseudonimin Chri-Chri. Veprat e tij janë: “Kur qan dhe qesh bilbili”, “Skica dhe tregime”, “Vargje satirike”, “Legjenda e një fisi” etj.

Pas përfundimit të Liceut Francez të Korçës ai vazhdoi studimet e larta për jurisprudencë në Paris të Francës. Kur u kthye në atdhe punoi si mësues në Korçë, Elbasan e Tiranë. Në këtë kohë filloi të ishte aktiv si shkrimtar e publicist në gazeta e revista të kohës: “Ora e Re”, “Rilindja”, “Arbëria”, “Drita”, në revistat letrare të përkohshme e ditore dhe më vonë edhe te e përditshmja “Bashkimi”. Më 1945 u bë nismëtari i themelimit të “Hostenit”. Më vonë punoi edhe si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Si njohës i mirë i gjuhës frënge dhe italiane, Nonda Bulka përktheu “Universitetet e mia” e “Vajza dhe vdekja” të Maksim Gorkit”, “Evgjeni Grande” të Balzakut, poezi të poetëve të njohur etj.

Vdiq në Tiranë më 14 nëntor të vitit 1972.