Më 29 qershor të vitit 1892 u nda nga jeta në Bejrut, atdhetari, poeti e rilindësi Pashko Vasa. Lindi në Shkodër, më 17 shtator të vitit 1825.

Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 gjer më 1847. Fliste disa gjuhë të huaja: anglisht, italisht, frëngjisht, turqisht, greqisht e serbisht. Më 1847 vajti në Itali, ku mori pjesë radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorësisë Qytetare. Në shpalljen e Republikës Venedikase, nga Daniele Manin, mori pjesë në kryengritjen e popullsisë kundër austriakëve. Austriakët e detyruan të largohej në Stamboll, ku u punësua në Ministrisnë e Punëve të Jashtme të Perandorís Osmane. Ka punuar në Halep të Sirisë dhe disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 vjen në Shkodër. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me shkronjat e shkollat shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867, ishte në krye të përpjekjeve për themelimin e nje shoqërie kulturore dhe të nje alfabeti të përbashkët me bazë alfabetit latin. Më 1869 mori pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”.

Pashko Vasa është autor i një sërë veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të qenë i lirë dhe i pavarur. Botoi “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë (Kostandinopojë, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” (Paris, 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut” (Konstandinopojë, 1865).
Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes: “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (Konstandinopojë, 1878), “Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (Londër 1887).
Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej: ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni!” (1880), e cila u botua si fletë fluturuese dhe u këndua si himn patriotik, duke luajtur rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është “Bardha e Temalit” (Paris, 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet ’40 të shek. XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht “Rose e spine” (1873).
Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.