146 vjet më parë lindi At Shtjefën Gjeçovi

146 vjet më parë lindi At Shtjefën Gjeçovi

Më 12 korrik, të vitit 1874 lindi në Janjevë të Kosovës At Shtjefën Gjeçovi, veprimtar i lëvizjes kombëtare, etnolog, arkeolog dhe shkrimtar, klerik françeskan, Mësues i Popullit. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.
Atë Shtjefën Gjeçovi, një intelektual erudit, grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore etj. Ndër botimet e tij përmenden: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis” (1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933), “Dashnia e atdheut”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut” etj. Ndihmesën më të rëndësishme ai e dha në fushën e etnologjisë. Me një punë hulumtuese shumëvjeçare përgatiti për botim veprën madhore “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933), që e bëri të njohur në botën shkencore. Në punimet e tij bëri përpjekje t’i lidhte besimet e lashta vendase me botën trako-ilire e pellazge. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”.
Shtejfën Gjeçovi luftoi kundër synimeve shkombtarizueze të serbomëdhenjve ndaj popullsisë e kulturës shqiptare. Për këto qëndrime u vra nga serbët më 14 tetor të vitit 1929 në Zym të Gjakovës. Ai është dekoruar me Urdhrin “Për veprimtari patriotike”, dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë. Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doctor honoris causa”.
Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, të cilat u bënë për të pajë shpirtërore dhe qëndrese deri kur dha edhe frymën e fundit.
“Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë. …“âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”.