153 vjet më parë lindi atdhetari Murat Toptani

153 vjet më parë lindi atdhetari Murat Toptani

Më 14 korrik 1867 lindi Murat Toptani, atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet dhe skulptor shqiptar. Zotëronte disa gjuhë të huaja si frëngjisht, turqisht, arabisht, gjermanisht, italisht osmanisht, arabisht dhe persisht. Krijimet e tij janë përmbledhur në vëllimin, “Vjersha e Murat Toptanit”, ndërkohë që në Galerinë e Arteve në Tiranë ruhet një bust i Skënderbeut, i realizuar prej tij në vitin 1917, si dhe një karikaturë me akuarel “Premtimet e Anglisë”.
Më 1878 ndoqi shkollën “Madamë Fyres”, ku dhe njohu bashkëshorten e tij të ardhshme Asije Frashëri, vajzën e Sherif Frashërit, vëllait të madh të Frashërllinjve, rritur nga xhaxhai i saj, poeti kombëtar Naim Frashëri. Më 1884 Murat Toptani vazhdoi studimet në shkollën “Sulltanie” (Gallata Saraj), ku mori një kulturë që u reflektua më vonë në gjithë veprimtarinë e tij të larmishme artistike. Më 28 tetor 1897, Murat Toptani u arrestua nga Porta e Lartë. U arratis nga internimi në Tripoli në Itali dhe lëvizi nga një qytet në tjetrin, në kolonitë shqiptare të atjeshme, ku vazhdonte propagandën për çështjen kombëtare. Në tetor 1898 nga Brukseli, së bashku me Faik Konicën, shkoi në Bukuresht. Është ndër të paktët shqiptarë të shquar, për të cilin ka shkruar, më shumë se njëherë, vetëm fjalë të mira dhe Faik Konica: “ Murat Beu ishte patriot i zjarrtë, mjaft inteligjent…”.
Nga fundi i vitit 1899 u kthye në Shqipëri. Më 1900 policia kontrolloi shtëpinë e tij në Tiranë dhe gjeti atje libra mësimi në shqip, vjersha dhe “Istorinë e Skënderbeut”, të gjitha të shtypura më 1881 me lejen e autoriteteve të kohës nga komisioni shkencor “Dituria”. Me gjithë familje u internua në Konia të Anadollit dhe u kthye në atdhe vetëm më 1908. Mbështeti kryengritjen e Kurbinit udhëhequr nga Gjin Pjetër Pervizi më 1906-1912. Merr pjesë në Kuvendin e Vlorës si përfaqësues i Tiranës, ku i caktuar nga Ismail Qemali vendos flamurin, mbajti një fjalim dhe firmosi aktin e pavarësisë. Toptani bashkëpunoi me organet e shtypit të shqiptarëve jashtë atdheut.
Toptani punoi një bust të Skënderbeut në Napoli më 1898 dhe një në Tiranë në 1917. Më vonë, bustin e Tiranës e riprodhoi në bronz mjeshtri i skulpturës monumentale Odhise Paskali. Busti i gruas së tij, Asijes, është një nga punimet e tij më cilësore artistikisht, dhe ndër të paktat vepra të tij – figurative apo letrare, që nuk ishte politike. Karikatura e titulluar “Premtimet e Anglisë”, është ndër krijimet e tij më të mprehta. Realizoi pikturat “Skënderbeu mbi kalë” dhe “Prometeu i lidhur”, portretet e Naimit, Samiut dhe Abdylit. Veç skulpturave, gdhendjeve në dru, Toptani ka realizuar edhe afreske. Më 1914 iu dogj shtëpia dhe u zhdukën kështu disa nga krijimet e tij më të rëndësishme bashkë me gjithë pasuritë e tjera artistike që ruheshin në atë familje, si: libra shqipe, dokumente e letra të Naimit, Samiut, Konicës dhe të figurave të tjera të shquara të Rilindjes, me të cilët Murati kishte pasur letërkëmbim të rregullt. Mjaft prej atyre objekteve ishin kopje unike, ruajtur me kujdes në familje. Vendoset në Vjenë dhe bashkëpunon me një reviste humoristike. Nga kjo periudhë ruhet karikatura “Premtimet e Anglisë” që vlerësohet si një nga krijimet më të bukura të artit shqiptar të atyre viteve.
Në dhjetor të vitit 1917 Murati u kthye përfundimisht në Tiranë. Po atë vit filloi edhe krijimin e një busti tjetër për Skënderbeun që e realizoi në baltë të pjekur. Skulptura ishte e fundit për Muratin (ai vdiq papritur po atë vit) dhe e vetmja që ruhet në ditët tona nga e gjithë krijimtaria e tij në këtë gjini. Gjendet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Murat Toptani ka qenë edhe poet dhe prozator. Ka botuar broshurën “Shqipëria e shqiptarëve”,  veprën “Shpata e Skënderbeut” e vepra të tjera. Krijimet e tij letrare janë botuar në disa gazeta dhe revista të viteve të Rilindjes dhe të Pavarësisë. Pas vdekjes, nën kujdesin e të birit Saidit, u botua një libër i veçantë ku u përmblodhën pjesa më e madhe e vjershave. Disa nga krijimet letrare të Muratit janë botuar edhe në përmbledhje të tjera.