156 vjet më parë lindi autori i romanit të parë në shqip, Ndoc Nikaj

156 vjet më parë lindi autori i romanit të parë në shqip, Ndoc Nikaj

Më 15 qershor 1864 lindi në qytetin e Shkodrës autori Ndoc Nikaj. Mësimet e para i kreu në Arqipeshkvinë e Shkodrës dhe në Seminarin Papnor, të udhëhequr nga etërit jezuitë. Studimet e larta i kreu në Romë, ku u shugurua meshtar në vitin 1888.

Dom Ndoc Nikaj shërbeu në Shkodër, mandej në famullinë e Shkrelit, Dajçit etj. Veprimtaria e tij, e cila filloi pas shugurimit për meshtar, ishte fetare shkencore, historike, letrare, publicistike dhe politike, e botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si shkrimtar filloi që në moshën 24 vjeçare, kohë kur shkrim leximi në gjuhën shqipe ishte rrepstësisht i ndaluar prej qeverisë turke. Më 1883 gjendet famullitar në Shkrel ku formohet dhe “Lidhja e Msheht”, kishte për qëllim përhapjen e idesë kombëtare dhe të pavarësisë.  Vepra e parë e tij ishte “Marcja: martirja e parë e krishtenimit në filles të vet”. Më 1899, është ndër  themeluesit të shoqërisë “Bashkimi”, të Abatit Prenk Doçi. Si botues, Nikaj e nisi karrierën duke themeluar më 1 janar 1910 gazetën e përjavshme “Koha”, ndër të parat gazeta politike në Shqipëri. Në numrin e dytë ia ndryshoi emrin në “Bashkimi”.

Kjo gazetë me katër faqe në shqip botonte artikuj për politikën, çështjet shoqërore, kulturën, letërsinë dhe ekonominë, dhe vazhdoi kështu deri më 1912. Në pranverën e vitit 1913 Ndoc Nikaj themeloi një gazetë tjetër, “Besa Shqyptare”, që dilte dy deri katër herë në javë gjer më 1921. Aty botohej edhe ndonjë artikull gjermanisht e italisht. Pas një periudhe të shkurtër, nga 29 korriku 1915 po kjo gazetë pati emrin “Zani i Shkodërs”. Përveç punës për nxjerrje gazetash, Ndoc Nikaj kishte edhe firmën e vet të vogël botuese “Shtypshkroja Nikaj”, të themeluar më 1909, ku u botuan shumë nga veprat e tij dhe të të tjerëve. Këtu ai shtypi libra këndimi në gjuhën shqipe, revista periodike si “Hylli i Dritës” dhe dhjetëra vepra të tjera. Pas Luftës së Parë Botërore, pasi kishte dhënë një ndihmë të madhe në themelimin e shumë gazetave shqiptare, Nikaj iu kthye më fort shkrimeve dhe botoi libra shkollorë, libra fetarë për kishat, si dhe ndonjë prozë letrare. Ishte drejtues i dy shtypshkronjave. Bashkëpunoi shumë me revistën “Albania” të Faik Konicës.

Ai shkroi, përveç gazetës, më se 30 vepra të zhanreve të ndryshme. Libri i tij më i rëndësishëm qe “Historija e Shqypnis”, nji vëllim prej 414 faqesh me shkroja shumë të imëta, shtypur në Bruksel më 1902, hartuar sipas Marin Barletit. Dom Ndoc Nikaj njihej si romancieri më i hershëm shqiptar, çka iu mohua në kohën e diktaturës. Nagdo Monici, pseudonim që e përdori edhe në gazetën “Albania” të Faik Konicës, njihet edhe për romanin historik “Shkodra e rrethueme”, botuar më 1913. Ka lënë shtatë romane të pabotuara dhe konsiderohet si pararendës i prozës në gjuhën shqipe

Më 1921 u arrestua dhe bëri dyzetegjashtë ditë burg në Tiranë. Për arsye që nuk dihen që nga viti 1924 nuk shkroi më. Mbas shpalljes së Pavarësisë dhe të vendosjes së qeverisë shqiptare, Dom Ndoci nuk desh të merrej me veprimtari politike. Për jetën personale në vitet e mëvonshme, deri në fund të Luftës Botërore II dihet pak. Në kuadrin e përndjekjeve ndaj klerit katolik në Shqipërinë e veriut në fund të Luftës së Dytë Botërore, dom Ndoc Nikaj u arrestua më 1946, në moshën tetëdhjetedyvjeçare, dhe vdiq në burgun e Shkodrës pesë vjet më vonë, në janar të vitit 1951.