Dhimitër S.Shuteriqi u nda nga jeta më 22 korrik të vitit 2003. Ai u lind në Elbasan në një familje intelektuale, i biri i Simon Shuteriqit, anëtar i Kongresin e Manastirit dhe një ndër themeluesit e Normales së Elbasanit. Dhimitri i ndoqi studimet e larta në Universitetin e Grenoblit dhe Lionit, në Francë dhe punoi si mësues në Normalen e Elbasanit. Për një periudhë gati 60-vjeçare, e cila shtrihet deri në ditët e fundit të jetës, iu kushtua intensivisht letërsisë dhe veprimtarisë studimore letrare, albanologjike, historike dhe folklorike. Si shkrimtar dhe romancier Dhimitër Shuteriqi është autor i disa vëllimeve, midis të tjerash: Fyelli i Marsiasit (1963), Një mal me këngë (1975), Maratonomaku ynë (1977), 60 tregime në një (1978), Kur rend hëna nëpër re (1982), Vërshimet e vjeshtës (1984), Kroje kam et (1977), Buka dhe thika (2002) etj. Një numër i madh i veprave letrare janë përmbledhur nën titullin Vepra, në 9 vëllime, më 1982 dhe 1989. Vepra e tij e gjerë hulumtuese shkencore iu kushtua fillimeve të qytetërimit shqiptar.
Nga viti 1954 drejtoi për 19 vite me radhë organizatën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave që prej themelimit më 1972 dhe një ndër themeluesit e arsimit të lartë shqiptar.