84 vjet më parë lindi shkrimtari dhe studiuesi Rexhep Qosja

84 vjet më parë lindi shkrimtari dhe studiuesi Rexhep Qosja

Më 25 qershor të vitit 1936 lindi Rexhep Qosja, shkrimtar, kritik letrar, studiues dhe një ndër personalitetet më të rëndësishme të popullit shqiptar.

Qosja ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në lëmin e studimeve letrare dhe është i njohur për sintezat e mëdha shkencore në fushën e historisë së letërsisë e të mendimit teoriko-letrar, me një sërë botimesh ku trajton autorë, vepra dhe periudha historiko-letrare dhe ku për herë të parë bën sintezën e madhe të historisë së popullit shqiptar, të letërsisë dhe të kulturës së tij pa ndarje kufijsh politikë, kulturorë dhe historikë, duke i parë ata si një të tërë me zhvillimet historike të Evropës dhe si një etni socio-kulturore, politike e gjuhësore në zhvillimin e qytetërimit të tyre.

Është autor i mbi 40  veprave, mjaft prej të cilave janë përkthyer në gjuhë të tjera dhe janë nderuar me çmime të ndryshme. Ka lëvruar prozën, tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë. Veprat e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Dramat e tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Europë. Shkrimet e tij publicistike kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve të botuara në shtypin kroat e slloven, shënuan fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë.

Rexhep Qosja kreu studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe u specializua në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit.

Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoraturës me punimin “Asdreni, jeta dhe vepra e tij”. Më 1972, u zgjodh bashkëpunëtor i lartë e pastaj këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni. Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës.

Është anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës që prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Republikës së Shqipërisë.

Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë.

Në vitin 2012 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi serinë e plotë të veprave të tij në 29 vëllime.