Ahmet Gashi (1888-1977) ishte gjeograf dhe historian shqiptar, profesor, autor tekstesh shkollore dhe veprimtarish të tjera arsimore e pedagogjike. Lindi 132 vjet më parë, më 1 shtator 1888 në Prishtinë. Mësimet e para i mori në vendlindje në gjuhën turke, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin e Stambollit ku u diplomua për histori e gjeografi. U kthye në Prishtinë si mësues dhe me nxitjen e Hasan Prishtinës u zgjodh sekretar i Klubit Shqiptar të Prishtinës. Pas Kongresit të Manastirit, Gashi luftoi për të përhapur mësimin e gjuhës shqipe. Në vjeshtë të vitit 1913 u emërua drejtor në shkollën qytetëse qendrore dhe profesor në Normalen e Elbasanit, ku jepte histori, gjeografi, violinë dhe muzikë. U emërua drejtor i Normales në vitet 1929-1933. Më 1933 transferohet në Institutin e Vajzave “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Ishte anëtar nderi i Shoqatës Kombëtare Gjeografike të Amerikës më 1936. Gjatë viteve 1943–1944 qe drejtor i fundit i gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës. Është autor i shumë teksteve mësimore të gjeografisë e të historisë së parë të Shqipërisë, i hartës së Shqipërisë dhe i një sërë hartash të tjera tematiko-historike për lëvizjet shqiptare kombëtare. Vdiq në Tiranë, më 1977.