Aleks Buda (1911-1993) ishte mësues, historian, akademik shqiptar. Ati i tij ishte Dhimitër Taq Buda, farmacist, delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit, deputet në dy legjislatura në Kuvendin Kombëtar dhe një ndër financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe i vijoi në Lecce të Italisë. Kreu gjimnazin në Salzburg të Austrisë dhe ndoqi studimet e larta në Universitetin e Vjenës, në Institutin Ballkanistik (1930-1935) ku mori mësime nga profesorë të njohur, si: Karl Patsch, Reiniger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e Studentëve Shqiptarë “Albania” të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokin, Qemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie.
Më 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës dhe Liceun e Korçës. Më 1941 shkoi në Itali në Universitetin e Padovës pranë profesorit të njohur Karlo Taljavini për t’u kualifikuar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme ballkanike dhe të shqipes.
Pas Çlirimit të vendit punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare (1945-1946) dhe u bë një nga organizatorët e Institutit të Shkencave, ku punoi si përgjegjës i seksionit të historisë, sociologjisë e ekonomisë. Aty ndihmoi në krijimin e sektorëve të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të historisë së Mesjetës dhe të artit mesjetar, të historisë së kohës së re, të etnografisë etj. Së bashku me kolegët e sektorit të tij, bënë të mundur publikimin e studimeve e arritjeve në fushën e arkeologjisë e të etnografisë, që u ekspozuan në Muzeun Arkeologjik-Etnografik të përuruar më 1947. Qe pedagog i historisë në Institutin pedagogjik dyvjeçar (1946) dhe një nga organizatorët e studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë. Qe një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë të Universitetin të Tiranës. Më 1973 u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës.
Veprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të Historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për etnogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqeshe të botimit të veprës së Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”, e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1962.
Është bashkautor i Vëllimit II “Historia e Shqipërisë”, botuar në vitin 1965 dhe dha ndihmesë të çmuar në konceptimin e udhëheqjen shkencore, dhe si kryeredaktor në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985), e para vepër enciklopedike shqiptare.
Është nderuar “Mësues i Popullit”, “Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë”, “Urdhrin e Lirisë” etj. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me “Medaljen e Madhe të Artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes (2002) me titullin “Qytetar Nderi”.
Vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë më 7 korrik 1993.