Dr. Adriana Fishta-Bejko: Ta ruajmë gjuhën dhe identitetin, siç bënë 600 vjet arbëreshët

Dr. Adriana Fishta-Bejko: Ta ruajmë gjuhën dhe identitetin, siç bënë 600 vjet arbëreshët

Qendra e Botimeve për Diasporën sjell një cikël intervistash me mësues shqiptarë në Diasporë, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës shqiptare dhe forcimit të lidhjeve të komunitetit shqiptar në vendin ku ndodhen.

 

Dr. Adriana Fishta-Bejko lindi dhe u rrit në Shkodër. Ka mbaruar studimet e larta me medalje ari në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të studimeve, punoi si mësuese e gjuhës angleze në Peshkopi, në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja dhe në shkollën “Çajupi” në Tiranë, dhe në periudhën 1977 -1990 në gjimnazin “Qemal Stafa”, ku u shqua për futjen e metodave të reja didaktike dhe shkencore në mësimin e gjuhës angleze. Në periudhën 1990-1994 ka punuar si inspektore arsimi në Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Gjatë kësaj kohe ka qenë shumë aktive si përfaqësuese e Shqipërisë pranë Këshillit Britanik dhe Qendrës Kulturore Amerikane. Ajo mundësoi ardhjen e kompjuterëve dhe magnetofonave të parë për mësimin e anglishtes në shkollat shqiptare.
Departamenti Amerikan i ofroi një bursë studimi “Fullbright” për Drejtimin Demokratik të Arsimit. Në vitin 1994 ajo shkoi me studime në Kaliforni. Më 1997 mbaroi Masterin (Master Degree) dhe në pamundësi për t’u kthyer në Shqipëri (koha e trazirave të 1997-ës), aplikoi për të emigruar në Kanada. Më 1999, emigroi me familjen në Kanada dhe filloi punën si Drejtoreshë e programit ESL dhe pedagoge për Trinity Western University në Vancouver. Gjatë qëndrimit të saj në Kanada ajo punoi në arsim si pedagoge dhe shefe katedre në dy universitete në Calgary dhe si drejtoreshë për marrëdhëniet me jashtë në universitet në San Diego, Kaliforni. Gjate gjithë karrierës së saj 45-vjeçare dr. Fishta-Bejko i ka mbetur besnike detyrës fisnike të mësuesit duke kontribuar ne tri kontinente dhe shumë shtete të botës. Për kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë në fushën e arsimit, në pedagogji dhe psikologji, ajo është emëruar dhe nderuar disa herë me çmime prestigjioze. Në vitin 2002 u laureua me çmimin “WHO’S WHO” në administratë dhe drejtim për kontinentin amerikan për vitin 2001-2002. Më 2007 mori gradën “Doctor of Education” në Universitetin e Calgary-t, si dhe botoi në vazhdimësi disa libra e studime shkencore për mësimin e gjuhës angleze si gjuhë të huaj. Në vitin 2016, u nderua me çmimin “Teacher of the year” në Calgary. Më 2018 ishte laureate e titullit prestigjioz të klasit të parë “Emigrant of Lifetime Achievement” për Calgary, Alberta. Në maj të vitit 2018, DR. Fishta-Bejko u zgjodh kryetare e bordit të shkollës shqipe “Foleja e Shqiponjave” në Calgary Alberta.
DR. Fishta-Bejko është intelektuale e njohur si mësimdhënëse, lektore, pedagoge në mjaft universitete botërore, autore, studiuese shkencore, prezantuese në mjaft konferenca ndërkombëtare, përfaqësuese e mësuesve dhe universiteteve në organizata lokale dhe ndërkombëtare. Gjatë 45 viteve si edukatore ka krijuar raporte me drejtues të arsimit, prindër dhe nxënës, duke pasur një ndikim pozitiv në vende të ndryshme të botës për trajnimin e mësuesve në fushën e mësimdhënies, në disa kontinente dhe shumë shtete.
Në Samitin e Dytë të Diasporës Shqiptare, ajo u nderua me çmimin “Ambasadore Kombi” nga qeveria shqiptare. Në maj të viti 2019 është zgjedhur anëtare dhe sekretare e Këshillit të Koordinimit të Diasporës Shqiptare.
Dr. Fishta-Bejko i ka kushtuar 25 vite të jetës së saj në emigracion mbrojtjes së identitetit shqiptar në Diasporë. Qëllimi i saj është ruajtja e gjuhës shqipe dhe traditave shqiptare veçanërisht tek brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve shqiptarë kudo në botë. Për këtë arsye ajo ka nisur formimin e bordit mbarëkombëtar të mësimit në shkollat e diasporës, i cili do të reformojë dhe do të unifikojë mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë. Është pjesëmarrëse aktive në hartimin e platformës digjitale “Mëso shqip”.

Cila është historia juaj e ikjes nga Shqipëria dhe si ndikoi te ju ky ndryshim?

Vendimi për t’u larguar nga atdheu është shumë i vështirë, por për mua në fillim ishte i lehtë, sepse mendoja se ky largim do të ishte i përkohshëm. Pas përfundimit të studimeve, unë do të kthehesha dhe do të kontribuoja në përmirësimin e sistemit arsimor ne Shqipëri. Fatkeqësisht, ky plan dështoi pasi periudha në të cilën unë planifikoja të kthehesha në Shqipëri ishte shumë e rrezikshme për dy djemtë e mi adoleshentë. Ishte një vendim i dhimbshëm aplikimi për të emigruar ne Kanada, por nuk kisha rrugë tjetër. Edhe sot e vuaj këtë vendim dhe përpiqem ta “kompensoj” ndjenjën e “fajit” që nuk vazhdova të kontribuoj për arsimin në Shqipëri, duke u mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë në diasporë.

A qe e lehtë përfshirja në komunitetin shqiptar në vendet ku emigruat? Si ishte i organizuar ai atëherë dhe a ka ndryshuar ky organizim sot?

Për çdo emigrant që arrin rishtas në një vend të huaj nuk është e lehtë të lidhet me shqiptarët si komunitet, pasi shoqatat e shqiptarëve në shumicën e rasteve nuk kanë një “strategji” të qartë për të marrë informacion për arritjen e bashkatdhetarëve në qytetin e tyre. Ndoshta është koha që çdo shoqatë të hartojë një strategji të tillë, pasi ditët dhe javët e para në një vend të huaj janë shumë të vështira. Mendoj që edhe përfaqësitë tona diplomatike duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në periudhën e stabilizimit të emigrantëve të rinj, duke pasur një listë të gatshme për proceset dhe detyrimet zyrtare dhe adresat e duhura për regjistrimin në vendbanimin e ri, marrjen e numrit social, gjetjen e banesës, regjistrimin e fëmijëve në shkolla, gjetjen e vendit të punës etj.
Kur arritëm në San Diego, Kaliforni në vitin 1994 na thanë se nuk ka shqiptarë në atë qytet. Kjo na mërziti shumë, sepse donim që djemtë tanë të kishin shokë shqiptarë, me të cilët të shoqëroheshin. Fillova të “hulumtoj” duke marrë librin tejet të vëllimshëm të telefonave (qytet me 3.251.000 banorë) dhe identifikova mbiemra që më tingëllonin si mbiemra shqiptarë. Pasi bëra një listë prej 80 numrash telefoni, të mundshëm për familje shqiptare, u telefonova duke i ftuar të merrnin pjesë në festën e flamurit që u mbajt për herë të parë në datën 28 nëntor të vitit 1994. Ishte një moment shumë emocional kur mbi 35 shqiptarë u mblodhën në këtë festë që shënoi fillimin e shoqatës së shqiptarëve në San Diego.
Sot gjendja është shumë më e mirë pasi ne kemi shoqata të organizuara më mirë, por komuniteti duhet të tregojë më shumë gatishmëri për të qenë sa më aktiv dhe jo indiferent ndaj këtyre shoqatave. Në mënyrë të veçantë, duhet të ndryshojë mendësia e krijuar se mund ta konsiderosh veten pjesë të diasporës vetëm duke marrë pjesë në “ahengjet” e organizuara për festën e flamurit të Shqipërisë apo të Kosovës dhe për 8 marsin.

Si është lidhja juaj me gjuhën amtare dhe si ka ndryshuar kjo lidhje për shkak të emigrimit?

Për sa i përket ruajtjes së gjuhës amtare, ne përpiqemi të ndjekim shembullin e mrekullueshëm të vëllezërve tanë arbëreshë, të cilët e ruajnë gjuhën edhe 600 vjet pasi janë larguar nga Shqipëria. Në këtë drejtim ka disa arritje, por ka shumë punë për të bërë.
Në familjen tonë flitet vetëm shqip. Edhe mbesa ime (4 vjeçe), edhe nipi im (2 vjeç), të cilët kanë lindur në Kanada, flasin shqip me ne dhe anglisht me të tjerët. Ata e identifikojnë veten si shqiptarë. Edhe librat që lexojnë janë në gjuhën shqipe. Një moment shumë emocional ishte kur vizituam kopshtin zoologjik në Calgary dhe mbesa sapo pa një skulpture shqiponje, vrapoi e përqafoi dhe i tha: “O shqiponja, edhe unë jam shqiptare”.
Në radhë të parë, ne kurbetçinjtë duhet të kuptojmë se edukimi i fëmijëve tanë me krenarinë si shqiptarë fillon në familje dhe pastaj vazhdon tek pjesëmarrja në shkollat shqipe në diasporë. Secili individ bën zgjedhjen e tij për mënyrën se si i edukon fëmijët e tij dhe si e organizon jetën në familjen e tij, por kjo zgjedhje do të ketë një ndikim shumë serioz në krijimin e identitetit të tij në diasporë. Çdo lëvizje në një qytet apo shtet të ri shoqërohet me atë që në psikologji njihet si “krizë identiteti”. Ky koncept është identifikuar për herë të parë nga psikologu Erick Erickson (1969). Kjo është një periudhë kur ndjenja e pasigurisë në vetvete shkakton një krize identiteti, ku individi ose vendos të ruajë me krenari identitetin e vendit amë dhe të mësojë karakteristikat e identitetit të vendin pritës; ose nga pasiguria që e shoqëron, kërkon të përqafojë me çdo kusht identitetin e vendit pritës duke neglizhuar identitetin e vërtetë të vendit amë. Kjo sjell asimilimin në vendin pritës, por kriza e identitet mbetet një plagë e pazgjidhur në formimin e identitetit të atij individi. Me këtë dua të them se, çdo emigrant e zgjedh vetë nëse do të njihet si një qytetar global qe është krenar për trashëgiminë e tij të shkëlqyer shqiptare apo të kthehet në një endacak qyqan, pa një identitet të vetin dhe me një identitet karikaturë të stisur të vendit pritës.

Po me gjuhën e vendit ku jetoni, si është kjo lidhje?

Një nga sfidat më të mëdha të integrimit në vendin pritës është mësimi i gjuhës së atij vendi. Ka emigrantë që lëvizin në një vend të huaj pa e ditur gjuhën, me pretendimin se do ta mësojnë gjuhën pasi të arrijnë në vendin pritës dhe kjo është thjesht një mendjelehtësi me pasoja serioze për mirëqenien e tyre dhe të familjes në vendin pritës. Kjo për faktin e thjeshtë se nuk jetohet në një vend të huaj pa ditur gjuhën e atjeshme; pa gjuhë, detyrohesh të pranosh punë të rëndomta, të cilat paguhen me rrogë minimale, me të cilën emigranti vazhdon të jetojë poshtë nivelit të varfërisë. Kjo ndikon negativisht si për individin, ashtu edhe për fëmijët e tij. Ai jo vetëm do të ketë probleme të karakterit ekonomik, por edhe si prind nuk do të jetë në gjendje të mësojë gjuhën si duhet dhe si rezultat s’do mund ta ndihmojë fëmijën për të arritur rezultate në arsimim në vendin pritës. Kjo do të ndikojë negativisht në të ardhmen e fëmijës dhe do të krijojë një rreth vicioz varfërie edhe për brezat e ardhshëm.
Personalisht, unë nuk e kam përjetuar këtë problem pasi kam jetuar në vende anglishtfolëse dhe isha specializuar në fushën e gjuhës dhe letërsisë angleze në Universitetin e Tiranës.

Si ka ndryshuar qasja juaj ndaj mësimdhënies, për shkak të vendit ku jetoni? A mund të bëni një krahasim?

Që në fillim dhe me shumë krenari dua të theksoj se përgatitja shkencore, linguistike dhe didaktika me të cilën na përgatiti shkolla shqiptare janë të shkëlqyera dhe për këtë i jemi mirënjohës atdheut dhe profesorëve tanë të mrekullueshëm, të cilët na përgatitën për të konkurruar me dinjitet kudo në botë. Nëse ka diçka të re qe kemi mësuar nga perëndimi në qasjen ndaj mësimdhënies është zhdërvjelltësia e mësimit duke vënë nxënësin dhe trurin në qendër të vëmendjes dhe jo vetëm kujtesën, e cila çon tek i mësuari përmendësh dhe riprodhues.
Në mënyrë të veçantë për fushën time të studimit, që është “mësimi i gjuhës me bazë trurin”, kjo zhdërvjelltësi që zhvillon të mësuarin kritik është shumë e dukshme. Kjo na mungonte në shkollat tona në Shqipëri. Megjithatë, duke pasur parasysh që ne bënim mësim me një libër bardhë e zi dhe me një shkumës dhe dërrasë të zezë, arritjet tona ishin shumë të larta. Në kontinentin amerikan, megjithëse harxhohen miliona dollarë për mësimin e anglishtes për miliona fëmijë të emigrantëve, rezultatet janë të vajtueshme dhe nuk mund të krahasohen me rezultatet që arrinin nxënësit e mi të mrekullueshëm në gjimnazin “Qemal Stafa” gjate 14 viteve që pata privilegjin t’i mësoj.

Ju jetoni prej dekadash në Kanada, si ka ndryshuar ndër vite interesi i emigrantëve shqiptarë atje për të mësuar shqip?

Me keqardhje duhet të pranoj që interesi për mësimin e gjuhës shqipe në diaspore është shumë i ulët sot, në grupin që do t’i quaj “diaspora e re”, pra familjet që kanë emigruar pas viteve 1990. Në bazë të një studimi të organizatës joqeveritare “Germin” rezulton që në shkollat shqipe në diasporë marrin pjesë vetëm 5% -10% e fëmijëve të moshës shkollore. Kjo shifër tregon një ulje të dhimbshme të interesit për të mësuar gjuhën dhe traditat tona tek brezi e dytë apo i tretë i emigrantëve shqiptarë.
Përveç arsyeve të përmendura më lart që lidhen me krizën e identitetit tek emigrantët, një faktor serioz që e ul interesin për pjesëmarrje në shkollat shqipe është edhe vetë cilësia e mësimdhënies në këto shkolla. Me gjithë përpjekjet e shumë mësuesve patriotë në diasporë që me përkushtim shembullor përpiqen t’i mbajnë gjallë këto shkolla, gjendja aktuale e tyre është shumë “laramane” dhe nuk kanë as kërkesa dhe as arritje të hartuara qartë dhe me baza shkencore. Kjo vjen si rezultat i mungesës së mbështetjes serioze shkencore dhe financiare nga qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës. Si rezultat, shkollat organizohen në forma amatoreske dhe gjendja e rezultateve mund të krahasohet me atë të një magazine pa inventar.
Kohët e fundit e fundit po bëhen përpjekje për të reformuar shkollat e diasporës, gjë që, pa mohuar përpjekjet e deritanishme, do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri dhe me metoda bashkëkohore ne mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë. Për këtë, Këshilli Koordinues i Diasporës po bashkëpunon ngushtë me Qendrën e Botimeve për Diasporën për hartimin e një baze mësimore dhe didaktike të pasur për shkollat e diasporës. Në saje të kësaj pune të shkëlqyeshme në ekip, ka filluar një qasje e re në bashkëpunimin për hartimin e materialeve, duke përfshirë mendimin e atyre që janë në frontin e mësimdhënies, mësuesve të diasporës. Së shpejti mësuesit do të kenë në dorë edhe platformën digjitale “Mëso shqip” qe do të mbështetet në filozofi të reja në mësimdhënie dhe në mësimnxënie. Shkolla “Foleja e Shqiponjave”, në Kanada është një nga pionieret në këtë drejtim.

Sipas këndvështrimit tuaj, a ka ndërveprim midis mësuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë?

Bashkëpunimi i mësuesve ka qenë sporadik dhe kryesisht ka mbetur në iniciativa individuale të mësuesve. Vitet e fundit janë organizuar 2-3 seminare kualifikuese, por nuk mund të flitet për një strategji të organizuar ku mësuesit të kenë mundësinë të shkëmbejnë përvojat në mënyrë të vazhdueshme.
Për këtë arsye, po fillon punën Bordi Mbarëkombëtar i Mësimdhënies në Diasporë, si një forum që do të bashkërendojë qasjet dhe mendësitë që do të informojnë mësimdhënien në shkollat e diasporës. Përveç kësaj, në platformën “Mëso shqip” do të mundësohet që mësuesit të kenë një forum digjital live, ku do të mund të shkëmbejnë përvojat e tyre. Gjithashtu, po bëhen përpjekje që të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës, në mënyrë që baza mësimore dhe didaktike kudo në diasporë të jetë e unifikuar dhe mbi baza shkencore. Për këtë ka shumë punë për të bërë, por është e rëndësishme që të gjithë faktorët (qeveritë, ministritë, prindërit dhe mësuesit) tashmë janë në unison për bazat filozofike, didaktike dhe linguistike mbi të cilat do të mbështetet mësimdhënia në shkollat e diasporës.

Përveç mësuesisë, ju jeni përkushtuar në organizimin e jetës kulturore të komunitetit shqiptar atje, si dhe punoni vazhdimisht që zëri i Diasporës të jetë një zë i fuqishëm ndikues në Shqipëri. Si ka ndodhur kjo dhe si ka qenë kjo përvojë juaja?

Unë i jam mirënjohëse komunitetit shqiptar në Calgary të Kanadasë për vlerësimin që i kanë bërë kontributit tim modest në shërbim të edukimit të fëmijëve tanë në diasporë. Gjithashtu, vlerësoj edhe qeverinë shqiptare që më zgjodhi anëtare të një institucioni kaq dinjitoz siç është Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD). Kjo detyrë më jep mundësinë që të jem më e angazhuar për t’i shërbyer komunitetit shqiptar kudo në botë.
Detyra jonë imediate si KKD është sigurimi i të drejtës kushtetuese të diasporës për të votuar dhe ruajtja e identitetit kombëtar. Për këtë arsye ekipi ynë punon pa pushim për të arritur këto qëllime fisnike dhe kemi shumë nevojë për mbështetjen e komunitetit shqiptar kudo në botë.
Pavarësisht nga distancat gjeografike apo vështirësi të tjera si pandemia e Covid-19, diaspora vazhdon punën e saj për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me vendin amë, duke bashkëpunuar me partnerë qeveritarë. Në mënyrë të veçantë, ambasada shqiptare në Kanada dhe ambasadori Ermal Muça janë një ndihmë e madhe në punën tonë për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Si e keni ndërtuar marrëdhënien tuaj me nxënësit e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Kanada?

Që në fillim dua të theksoj se ditët kur takohem me fëmijët në shkollat shqipe janë ditët më të bukura që mund të më dhurohen. Fëmijët janë engjëjt tanë dhe e ardhmja e kombit. Ata të shohin në dritë të syrit, por në të njëjtën kohë, janë edhe kritikët më fisnikë që mund të bëhen. Të rriturit duhet të mos harrojnë që këta fëmijë janë të integruar në shkollat kanadeze, ku mësimdhënia është shumë e zhdërvjelltë dhe detyra e mësuesit është qe ta bëjë mësimin sa më argëtues. Për këtë arsye edhe ne po e ndërtojmë mësimdhënien në shkollat tona të mbështetur në ekskursione, projekte dhe përfshirje në festat dhe traditat tona kombëtare. Çdo gjë është e organizuar në mënyrë argëtuese dhe fëmijët marrin pjesë me dëshirë.
Mësuesit dhe mësueset e nderuara në shkollat shqipe në diasporë punojnë me një përkushtim shembullor për të transmetuar dijet mbi gjuhën shqipe, traditat dhe kulturën tonë tek fëmijët e diasporës.

Përse e këshilloni mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare për të rinjtë atje?

Siç e theksova edhe më lart, ne kurbetçinjtë këtu ku jetojmë larg atdheut i kemi rrënjët në rërë, kurse në atdhe i kemi rrënjët në shkëmb. Për të ruajtur ato rrënjë të stërgjyshërve tanë, duhet të mësojmë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Kur je larg atdheut atëherë e kupton vlerën e tij dhe të mungon më shumë. Faik Konica thoshte: ”Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë “Shqipëri ”. Ne duhet t’ua transmetojmë këtë “bukuri të ëmbël” brezave të rinj në diasporë duke u folur për Onufrin dhe për Skënderbeun, për motrat Qiriazi dhe Frashëllinjtë, për flamurin dhe dybekun, ku gjyshja e tyre përgatiste gjalpin e freskët dhe dhallin e shijshëm.

Një jetë të tërë kushtuar mësuesisë, çfarë vlere ka marrë profesioni juaj në Diasporë?

Përveç shumë gjërave të tjera, qenia mësuese në diasporë më ka dhënë mundësinë e krijimit të një botëkuptimi global për rëndësinë e edukimit për të mirën e njerëzimit. Ky profesion human garanton vazhdimësinë e jetës në globin tonë. Tani e shoh veten si mësuese shqiptare që i shërben humanizmit global. Kam pasur privilegjin të trajnoj mësuese nga e gjithë bota dhe në çdo moment kam nderuar veten time si edukatore shqiptare. I madhi i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri thotë: ”Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë; nëse kërkon të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë”. Dhe unë kam mbjellë “arsim dhe kulturë” kudo në botë, në Pekin, Seul, Tokio, Tiranë, Calgary, Korçë apo San Diego.

Një fjalë të fundit për bashkatdhetarët…

Ndoshta ndonjëherë shohim që problemet janë të shumta dhe nuk po zgjidhen ashtu siç duam ne. Në këto raste mund të biem edhe në pesimizëm, por unë i kthehem shenjtëreshës sonë kur thotë: “Unë e vetme nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë e të krijoj valëzime”. Edhe unë do të përpiqem të krijoj “valëzime” në të mirën e ruajtjes së identitetit kombëtar në diasporë. Një diasporë aktive dhe e bashkuar do ta arrijë këtë qëllim.