Drita Gjongecaj: Ruajtja dhe trashëgimi i gjuhës sonë të bukur, detyrë e çdo shqiptari

Drita Gjongecaj: Ruajtja dhe trashëgimi i gjuhës sonë të bukur, detyrë e çdo shqiptari

Qendra e Botimeve për Diasporën sjell një cikël intervistash me mësues shqiptarë në Diasporë, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës shqiptare dhe forcimit të lidhjeve të komunitetit shqiptar në vendin ku ndodhen.

 

Drita Gjongecaj është një intelektuale e mirintegruar në botën amerikane. Pas kualifikimeve të nevojshme në sistemin e arsimit të Nju-Jorkut, arriti të ngjisë shkallët e karrierës në arsim dhe prej 9 vjetësh është zëvendësdrejtore në shkollën publike “Theodore Schoenfeld”.
Masterin e saj të parë shkencor e mori në mësimdhënien e anglishtes për folësit e gjuhëve të tjera (Teaching English to Speakers of Other Languages– TESOL). Më pas përfundoi studimet pasuniversitare në kolegjin prestigjioz “Bank Street College of Education” si drejtuese metodike e arsimit dygjuhësor (Bilingual/ESL Teacher Leadership Academy).  Me përfundimin e masterit të dytë në Lidershipin e Shkollave si dhe kërkesave të tjera kualifikuese në shtetin e Nju-Jorkut, ajo u licencua në Drejtim dhe Administrim Shkolle përfshirë këtu të gjitha nivelet nga klasat fillore deri në maturë. Po ashtu ka kryer programin në Lidership në nivelin e Distriktit Shkollor.
Vullneti dhe dëshira e mirë e shtynë që krahas karrierës në arsimin publik të punojë edhe për komunitetin shqiptar. Ajo ka themeluar organizatën “Albanian-American Dual Language & Culture (AADLC), ka hartuar projektin për hapjen për herë të parë të Programeve Dygjuhësore në shkollat publike amerikane dhe ka themeluar e drejton Shkollën e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” që vepron në dy qendra në Nju-Jork.
Për arritjet e saj është emëruar “Mësuesja e Vitit 2014” nga organizata “Motrat Qiriazi, Albanian-American Women’s Organization” (AAWO). Po ashtu, ka kontribuar si zëvendëspresidente e Organizatës së Arsimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Albanian-American Educators Association).

Cila është historia juaj e ikjes nga Shqipëria dhe si ndikoi te ju ky ndryshim?

Largimi im ka të bëjë me situatën e vështirë që po kalonte vendi. Kisha qenë në Amerikë edhe në Itali për trajnime afatshkurtra mbi bibliotekat dhe zgjerimin e tyre nëpërmjet degëve. U riktheva në Amerikë si vizitore pas dy vjetësh pune në Shqipëri si kusht i kualifikimit që përmenda. Kisha dhënë provimin e TOEFL-it në Tiranë dhe gjuha për mua nuk ishte problem, por më mungonte dokumentacioni ligjor ndaj vitet e para kam punuar me orë të zgjatura e pagë minimale. Duke dashur të integrohesha sa më shpejt në jetën e re, kam mbështetur vullnetarisht komunitetin me përkthime nëpër konferenca dhe programe të ndryshme si dhe kam dhënë po vullnetarisht mësime anglishteje për emigrantë të kombësive të ndryshme. Si shumë shqiptarë në Amerikë dhe diasporë, me aftësitë e mia profesionale, me përkushtim në punë e me etjen për prosperitet, arrita të fitoj besimin e drejtoreshës së Qendrës për Emigrantë dhe Refugjatë ku m’u ofrua pozicioni i mësueses së anglishtes.  Në të njëjtën kohë për të plotësuar nevojat vazhdoja pasditeve edhe punën e mëparshme. Me të marrë lejen e qëndrimit të ligjshëm, fillova masterin gjatë mbrëmjeve e në fundjavë.
Pengesa tjetër e madhe në fillimet e atëhershme ishte informacioni i pamjaftueshëm. Perceptimi dhe interpretimi që u japim gjërave e fakteve kur jemi në distancë ndryshon shumë nga ai në “terren” ku realiteti merr nuanca të tjera.  Flasim për vitet 2000-2002 kur shqiptarët në karrierë ishin shumë më të paktë se sot.
Pasi mbarova masterin e parë, m’u ofrua një bursë falas në studime pasuniversitare nga “Bank Street College”. Më pas, u përfshiva në një master tjetër për Drejtim dhe Administrim shkollash, mora licencimin e plotë dhe prej 9 vjetësh punoj si zëvendësdrejtore në shkollën publike ku kisha qenë edhe mësuese.

A qe e lehtë përfshirja në komunitetin shqiptar atje? Si ishte i organizuar ai atëherë dhe a ka ndryshuar ky organizim sot?

Që në fillim u njoha me mjaft shqiptarë ngaqë punoja si arkëtare në një pastiçeri. Po ashtu kisha shumë studentë shqiptarë në moshë të rritur që u mësoja anglisht dhe pak nga historia e Amerikës, kërkesë e detyrueshme për marrjen e pasaportës amerikane. Tradicionalisht shqiptarët mblidheshin për festat kombëtare dhe ngjarje familjare e këto aktivitete pak ndryshonin nga njëri tjetri. Gjithsesi, prej disa vitesh vihet re jo vetëm më shumë larmi aktivitetesh, por edhe rritje në cilësinë e tyre, duke filluar që nga mbrëmjet Gala, koncertet nga soprano me famë botërore, Java e Filmit Shqiptar, Java e Modës Shqiptare, promovime libri etj.
Në përgjithësi shqiptarët kanë mundur të gjejnë balancën e të përshtaturit me jetën vendase dhe njëherazi të ruajnë rrënjët etnike e lidhjet me bashkëkombësit, duke shpalosur ato vlera që na bëjnë krenarë për çka jemi.

Si është lidhja juaj me gjuhën amtare dhe si ka ndryshuar kjo lidhje për shkak të emigrimit?

Jam diplomuar në Fakultetin Filologjik të Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por interesi im për gjuhën dhe strukturën e saj është edhe më i hershëm. Zbatimi me fanatizëm i rregullave gramatikore në shkrim dhe përdorimi i gjuhës letrare në orët e  mësimit kanë ardhur natyrshëm. Po ashtu lidhja ime me librin.
Më vonë kam kryer Shkollën e Bibliotekave, e cila bashkë me dëshminë e njohjes së anglishtes përmes testit TOEFL më mundësoi emërimin si përgjegjëse e Sektorit të Pasurimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Bibliotekën Shkencore të UBT.
Në vazhdim, duke sjellë eksperiencën e njohuritë e fituara në specializimet në USA , në Universitetin e Basilikatës, Itali, si dhe me ndihmën e Projektit SARA – USAID, kemi ngritur për herë të parë degët e bibliotekës për çdo fakultet të UBT, duke u ofruar studentëve më shumë mundësi kërkimore në profilin përkatës.
Pasioni im për shqipen dhe librin ka mbetur i njëjtë dhe nëpërmjet formave të ndryshme mundohem ta sjell edhe te komuniteti ynë këtu.

Po me gjuhën e vendit ku jetoni, si është kjo lidhje?

Anglishtja ka qenë po ashtu një nga pasionet e mia qysh në bankat e shkollës. Natyrisht, s’e mendonim kurrë që gjuha e huaj një ditë do përdorej në bazë të gjerë; ishte thjesht një nga treguesit e “të pasurit kulturë” në atë kohë. Për mua ishte gjithashtu interesimi për të kuptuar lidhjen ndërgjuhësore në strukturë, funksionin a fjalëve etj.
Studimet këtu në Amerikë, karriera në arsimin publik dhe puna si pedagoge e jashtme në “Globe Institute of Technology” ku kam dhënë lëndën e gramatikës angleze ma kanë diktuar gjuhën vendase si pjesë thelbësore të jetës. 

Si ka ndryshuar qasja juaj ndaj mësimdhënies, për shkak të vendit ku jetoni? A mund të bëni  një krahasim?

Një ndryshim që mund të përmend këtu është mënyra si shihen dhe trajtohen nxënësit; janë ata që vihen në qendër dhe jo mësuesi. Nxënësit nuk shihen si objekt të cilëve pritet t’u ngulitësh dije dhe njohuri të caktuara, përkundrazi ata shihen si subjekte që në mënyrë aktive angazhohen në procesin e të mësuarit. Mësuesi luan rolin e mentorit dhe e orienton studentin në kahen e duhur ku ai të eksplorojë e të gjejë vetë përgjigjet e të të panjohurave. Mësuesi gjithashtu ka për detyrë të ngjallë interesin e kuriozitetin e studentëve duke formuluar pyetje që stimulojnë të menduarit kritik e analitik dhe i çon ata në konkluzione e gjetje të reja.

Ju jeni krijuese e shkollës shqipe “Children of the Eagle”, ideatore dhe zbatuese e seminarit të përvitshëm mbi gjuhën shqipe dhe përsosjen e saj në Diasporë. Si ka qenë kjo përvojë e juaja? Si ka ndryshuar ndër vite interesi i emigrantëve shqiptarë atje për të mësuar shqip?

Historikisht, ruajtja e gjuhës amtare ka qenë dhe mbetet dëshirë e shqiptarëve. Nisur nga kjo dhe nga kualifikimi im midis dy vendeve, zgjodha të bëja diçka më shumë që t’i shërbejë komunitetit e si rrjedhojë, çështjes kombëtare. E quaj detyrim moral dhe profesional. Nëse unë dhe koleget e mia kemi diçka për t’u ofruar nxënësve në shkollat amerikane, pse jo edhe fëmijëve me origjinë shqiptare në veçanti.
Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” ka dy qendra ku i shërben komunitetit mbi baza tërësisht vullnetare prej më se 4 vjetësh. Risia që sjell kjo shkollë është zbatimi i një programi rigoroz akademik. Nuk mund të themi se e kemi ruajtur gjuhën amtare nëse kufizohemi me disa shprehje të fjalorit të përditshëm.
Veç programit të fundjavës po bëjmë përpjekje ta vëmë në zbatim edhe Projektin Paralel Dy-Gjuhësor që është hartuar nga organizata jonë, AADLC, dhe që synon futjen e shqipes krahas kurrikulumit përkatës, sipas klasës ku mëson fëmija. Ky program u siguron shqiptarëve për herë të parë shkollën e tyre institucionale nën drejtimin e Bordit të Arsimit të Nju-Jorkut.
Padyshim, projekti dygjuhësor është një epërsi, një hap cilësor në ato dhjetëra përpjekje për ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe këtu në diasporë. Statistika të ndryshme në vend kanë provuar që këto programe janë niveli më i lartë i përvetësimit të një gjuhe dhe kulture në kushtet didaktike. Gjithsesi ky është një proces i gjatë përderisa kushtëzohet nga standardet arsimore të shtetit të Nju-Jorkut,  të cilat duhet të jenë edhe pjesë e kurrikulës në shqip për programin në fjalë.
Shoqata AADLC gjithashtu organizon seminarin vjetor rreth mësimit të shqipes në diasporë. Është një nismë që synon rritjen e numrit të fëmijëve dhe të të rinjve që i përqafojnë këto programe e në të njëjtën kohë forcimin e rrjetit profesional të mësimdhënësve për të përsosur edhe më tej punën në këtë fushë. Të organizosh për dy vite me radhë një seminar të tillë me shtrirje në tri shtetet fqinje Nju-Jork-Nju-Xhersi-Konektikat nuk ka qenë e lehtë për një organizatë të re si e jona.  Ka pasur edhe skepticizëm si çdo nismë e re, por përkrahja e Konsullatës së Kosovës dhe në mënyrë të veçantë znj. Sahatcija na ka ndihmuar shumë. Kishim filluar punën edhe për Seminarin III, i cili u shty pa afat të caktuar në varësi të Covid-19.
Materialet nga Seminari I dhe II janë përmbledhur në një buletin dhe shërbejnë si referencë për ata që janë të interesuar.

Sipas këndvështrimit tuaj, a ka ndërveprim midis mësuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë?

Ka ndërveprim, ashtu siç ka edhe vend për t’u përmirësuar. Treguesi më i mirë i ndërveprimit është organizimi i Festivalit të Shkollave Shqipe që përfshin po ashtu shkollat e Nju-Jorkut, Nju-Xhersit dhe Konektikatit, e njohur si zona e Trishtetëshit. Deri tani janë zhvilluar 5 festivale që e kanë kthyer atë në një traditë të bukur, cilësore dhe masive. Festivali i 6-të ku “Children of the Eagle” sipas radhës do të ishte shkolla organizuese është shtyrë prej situatës që po kalojmë.
Seminari që përmenda më lart ka hapur një dritare të re për bashkërendimin e përpjekjeve të mësuesve, specialistëve, veprimtarëve të komunitetit, prindërve etj., duke pasur si synim përsosjen e mëtejshme dhe rritjen e efektivitetit të punës me shkollat shqipe. Krahas analizave të thelluara të metodave bashkëkohore, pjesëmarrësit shkëmbejnë përvojat e tyre profesionale në mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe në diasporë. Takime të tilla janë me vlerë pasi njohuritë nuk janë dhe nuk mbeten statike, sado i përgatitur të jesh në një fushë të caktuar.

Përveç mësuesisë, ju jeni përkushtuar edhe në organizimin e jetës kulturore të komunitetit shqiptar atje. Si ka ndodhur kjo dhe si ka qenë kjo përvojë juaja?

Natyra e punës na sjell kontakte të shumta me përkrahës të misionit tonë, me aktivistë, familje shqiptare etj. Ndonjëherë jemi ne ata që organizojmë aktivitete, por marrim pjesë edhe në ato të shoqatave të ndryshme me të cilat kemi marrëdhënie të mira që i shërbejnë unitetit si bashkëkombës. Përveç kësaj pjesëmarrja në aktivitete të tilla më jep imazhin e të qenit në atdheun tim midis kolegëve dhe profesionistëve me të cilët kemi shumë gjëra të përbashkëta, më jep ndjesinë e vazhdimësisë së asaj që kemi lënë pas, por nga e cila nuk jemi shkëputur dot.

Si e keni ndërtuar marrëdhënien tuaj me nxënësit e gjuhës dhe kulturës shqiptare në SHBA?

Formimi profesional në Amerikë na ka mundësuar si mua edhe mësueset e “Children of the Eagle” ta njohim psikologjinë e fëmijëve të lindur e shkolluar këtu. Gërshetimi i pritshmërive të këtushme, teknikave pedagogjike etj., me ato që sjellim nga Shqipëria kanë ndikuar në rritjen e profesionalizmit dhe gjetjeve efektive që na kanë bërë të suksesshëm dhe të dashur për fëmijët dhe familjet e tyre.

Përse e këshilloni mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare për të rinjtë atje?

Në përgjithësi të rinjtë dhe fëmijët tanë e kanë sensin e krenarisë së të qenit shqiptar. Ne duhet t’u mësojmë atyre se të jesh shqiptar është më shumë sesa ta deklarosh veten të tillë. Duhet njohur dhe përdorur gjuha, të praktikohen herë pas here elemente të traditës etj., për të ruajtur kështu identitetin kombëtar, historik, e kulturor në breza. Ky do të ishte investim për kombin.
Në aspektin personal, dygjuhësia përbën një përparësi edhe në tregun e punës.  Në ekonominë e sotme globale, njohja e gjuhëve në nivele cilësore ka edhe përparësi të tjera duke filluar që nga shfrytëzimi i internetit, mjeteve të komunikimit masiv në gjuhën shqipe, turizmi, fusha politike etj. Prandaj edhe ne i mëshojmë fort nevojës për përfshirjen e gjuhës akademike në shkollat shqipe dhe jo vetëm komunikimit rutinë të përditshëm.

Angazhimi juaj në fushën e mësimdhënies ka ardhur në rritje , çfarë vlere ka marrë profesioni juaj në Diasporë?

Si mësuese jam kujdesur të lë gjurmë në formimin e nxënësve të shumtë. Si drejtuese shkolle prej afro një dekade tashmë, pasionit për edukimin e të rinjve i kam dhënë dimensione të reja duke përcjellë te arsimtarët njohuritë, eksperiencën dhe përkushtimin ndaj detyrës fisnike të mësuesit. Pikërisht ata mësues kanë shumëfishuar pastaj numrin e shkollarëve të pajisur me formim akademik dhe social në përputhje me nevojat e sfidat e shoqërisë aktuale.

Një fjalë të fundit për bashkatdhetarët…

Gjuha amtare është ajo që na bashkon kudo dhe kurdo ndaj çdo shqiptar ka për detyrë dhe mundet të bëjë diçka për ruajtjen e saj. Rritja e numrit të nxënësve dhe efektivitetit të punës me ta kërkon mbështetjen e shkollave shqipe nga institucione, organizata dhe aktivistë të komunitetit. Le t’i koordinojmë përpjekjet që ta ruajmë dhe trashëgojmë gjuhën tonë të bukur!