Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Studimet nuk i bëri. Punoi si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës, gjë që i ngjall dëshira të merrej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku punoi si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikuj publicistikë, përkthen greqisht “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashërit. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, vdiq më 13 mars 1965.
Vepra e parë e Nolit qe drama me tre-akte “Israilitë dhe Filistinë”, e botuar në Boston 1907, e shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër. Duke ndjerë nevojën e besimtarëve për të mbajtur meshë në shqip, përkthen ritualet dhe liturgjinë ortodokse në dy vëllime “Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe”, Boston 1909, dhe “Libre é te krémtevé te medha te kishes ortodokse”, Boston 1911. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”, Boston. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve ’20. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), New York 1947; që do t’i shërbente si temë diplome në Universitetin e Bostonit. Tjetër vepër e tij në anglisht “Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French revolution) në 117 faqe, e botuar në New York 1947, pasqyronte figurat e mëdha të historisë (Jul Çezari, Jezusi, Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparte). Vëllimi me vjersha “Albumi” u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Kontributi më të gjerë Noli e dha me përkthimet e tij. Afria që kishte me gjuhët e huaja, greqishten, anglishten dhe frëngjishten e ndihu që t’isillte përkthimet e tij në një shqipe të stërholluar dhe elegante,. Ai përktheu mjaft autorë amerikanë dhe europianë të shek. XIX.