Ferit Vokopola (1887-1969) ishte  politikan shqiptar, teolog, përkthyes, organizator i Kongresit të Lushnjës dhe një nga 40 nënshkruesit e Deklaratës Shqiptare të Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Vokopola ishte firmëtari më i ri i Aktit të Pavarësisë, ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës, ndër autorët më përfaqësues të mistikës islame në Shqipëri pas Naim Frashërit, publicist dhe përkthyes.
Lindi më 1906 në Vokopolë të Beratit, mbaroi gjimnazin e Beratit dhe studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi, ku pas vitit 1908 bashkëpunoi me gazetat “Zgjimi” dhe “Bashkimi i Kombit”. Më 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku dhe firmosi në deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “M. Ferit Vokopola”. U caktua kryesekretar i Ministrisë së Financave në qeverinë e Ismail Qemalit, pas 1914 qe kryesekretar i Ministrisë së Punëve Botore në qeverinë e Turhan pashë Përmetit. Në Kongresin e Durrësit qe përfaqësues i Lushnjes, mbajti fjalën e hapjes dhe u zgjodh sekretar. Në vitet 1923-1925, 1927-1928 ka qenë ministër i Bujqësisë dhe zëvendësisht i Punëve Botore, më 1928-1939 u zgjodh sërish deputet duke përfaqësuar prefekturën e Beratit, ku më 1928 qe nënkryetar i Asamblesë Kushtetuese. Më 1925 u shpreh në parlament për Tiranën kryeqytet. Në fushën e legjislacionit Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve ‘20-‘30. Ai së bashku me deputetë të tjerë përgatitën dhe miratuan në parlament Kodin Civil të viteve ’30. Ishte ndër organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman dhe jep një kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu kushtuar krejtësisht aktivitetit fetar. Punoi në Institutin e Historisë si bashkëpunëtor, duke i kaluar vitet e pleqërisë deri sa vdiq në vitin 1969, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja. Ndërroi jetë më 28 qershor 1969 në Durrës.
Gjatë kohës që punonte në ekipin e Ministrisë së Bujqësisë të qeverisë së Durrësit, hartoi kriterin e përkthimit dhe të komentimit të Kuranit. U shqua në fushën e përkthimeve nga osmanishtja, i shkroi parathënien përkthimit të veprës “Rubaij-jati” (Rubairat) i Omar Kajamit nga Hafiz Ali Korça, e cila u botua për herë të parë më 1942, në Tiranë. Më 1919 botoi “Fluturimet e Shpirtit”, në vitin 1920 botoi vëllimin me poezi “Symbyllazi me ëndërrimet”, në vitin 1942 botoi veprën poetike “Gjëmimet e Tomorrit”. Pas organizimit të Kongresit të Lushnjes, Vokopola i shkroi himnin “Himni i Kongresit të Lushnjës”.
Në korrik 1942, doli në Tiranë revista kulturore dhe fetare “Njeriu”. Qysh në numrat e parë, kjo revistë periodike e përmuajshme e kishte të përcaktuar orientimin shpirtëror dhe kulturor të saj. Ndër radhët e saj shkruajtën edhe Haki Stërmilli, Kristo Floqi, poeti Vasfi Sami Visoka dhe profesorët Filip Ndocaj, Beqir Haçi, Vexhi Buharaja etj. Në faqet e kësaj reviste Ferid Vokopola botoi edhe shkrime të Fan Nolit, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mithat Frashërit dhe intelektualëve më të rinj si Suat Haxhit, Mustaf Greblleshit, Jup Kastratit etj.