Filip Shiroka (1859-1935) ishte inxhinier, poet lirik dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë, ndër të cilët përmendet dhe arbëreshi At Leonardo de Martino. Më 1877 hapi një dyqan për të lidhur libra te Dugajtë e Reja në qytetin e lindjes. Gjatë ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane “L’osservatore triestino” dhe “Il Piccolo”, përmes të cilave i bëri të ditur opinionit italian për padrejtësitë që pësonin shqiptarët nga Mbretënija e Stambollës. Në letrat me Sotir Kolean, Shiroka pohonte se ka qenë përgjegjësi i fletoreve “L’Osservatore Romano” dhe “La voce della verità” dhe se kishte shkruar edhe për “Osservatore Triestino” dhe “Il Cittadino” që botoheshin në Trieste.
Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi si inxhinier ndërtimi hekurudhash dhe krijoi familje. Me anë të letërkëmbimeve me të afërmit e tij interesohej vazhdimisht për gjendjen e vendlindjes. Më 1921 emërohet kryetar i shoqërisë “Vllazëria e shqiptarvet në Misir”.
Poema e tij e parë e botuar ishte “All’Albania all’armi, all’armi!”, kushtuar mbrojtjes së Ulqinit. U shkrua në italisht dhe u publikua në “Osservatore Cattolico” të Milanos më 1878. U ribotua më 15 shtator 1886 me emrin e pendës Karolip Shifip në të përkohshmen “Fiamuri Arbërit” botuar nga De Rada. Shiroka kishte letërkëmbim të gjerë me bashkatdhetarët. Ndër figurat me të cilat ka shkëmbyer letra, të cilat gjenden në Arkivin e Shtetit, janë: Faik Konica, Nikollë Ivanaj, Nikolla Naço, Andon Zako Çajupit dhe Leonidha Naço.
Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903 dhe u botua në organe shtypi, si: “Albania” e Faik Konicës, në periodikë shqiptarë që botoheshin në Egjipt dhe në të përmuajshmen fetare të Shkodrës “Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit”. Shiroka, i cili përdorte edhe pseudonimet Geg Postrippa dhe Ulqinaku, është autor i të paktën gjashtëdhjetë vjershave, tri tregimeve të shkurtra, i disa artikujve dhe i përkthimeve (ndër to edhe vepra fetare të liturgjisë katolike). Më 1921 botoi “Moji i të dekunve”, në prozë, në Shtypshkronjën e të Papërlyemes në Shkodër.
Përmbledhja e tij poetike “Zani i zemrës”, Tiranë 1933, u botua nga Ndoc Nikaj dy vjet para vdekjes së Shirokës në Beirut.