Flutura Açka (Elbasan, 1966) është poeteshë, shkrimtare dhe botuese shqiptaro-holandeze. U diplomua për Statistikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1988 dhe për Gjuhë-Letërsi në vitin 2001 në Universitetin e Elbasanit. Pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas si administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpi botuese. Më 2001, bashkë me bashkëshortin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë. Në vitin 1997, mori çmimin ndërkombëtar “Lira e Strugës” në Netët e Poezisë Strugane, ngjarje letrare ku e ka përfaqësuar poezinë shqipe për disa vite. Në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë evropianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh “Tivoli-Europa” në Itali. Poezitë e saj janë përfshirë në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj. Poezitë e saj janë botuar në disa gjuhë të botës. “Frikë harrimi” është përmbledhja e saj poetike e botuar në gjuhën maqedonase, në Shkup në vitin 2002. Romani i saj i parë “Vetmi gruaje”, është përkthyer dhe botuar në vitin 2006 në gjuhën bullgare në një seri me shtatë autore bashkëkohore nga Ballkani. Në vitin 2009, romani i saj “Kryqi i harresës” u vlerësua me çmimin “Serembe” për prozën më të mirë. Në vitin 2011 iu dha çmimi i dytë për poezinë më të mirë në mitingun poetik “Drini poetik” në qytetin e Prizrenit, i akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Në vitin 2013 u vlerësua me çmimin e “Romanit më i mirë” në Panairin e Librit në Prishtinë. Romani i dytë i saj “Kryqi i harresës”, i botuar në holandisht në vitin 2014, u vlerësua me katër (nga pesë) yje prej kritikës holandeze. Flutura Açka e ndan jetën e saj mes Tiranës dhe Utrechtit të Holandës.

Vepra:

“Tri vjeshta larg”, poezi, 1993
“Mure vetmie”, poezi, 1995
“Festë me ankthin”, poezi, 1997
“Kënga e Aretuzës”, poezi, 1998
“Vetmi gruaje”, roman, 2001
“Kurth i diellit”, poezi, 2002
Poezi, vepra poetike 1993-2003, 2003
“Kryqi i harresës”, roman, 2004
“Hiri”, roman, 2006
“Zbathur”, poezi, 2007
“Lutje dimri”, poezi të zgjedhura, 2008
“Ku je?”, roman, 2009
“Rënkimi i shiut”, poezi,  2011
“Kukullat nuk kanë Atdhe”, roman, 2013
“Ftesë për flirt”, poezi, 2015
“Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, roman, 2017
“Roja i dritës”, poezi, 2018