Isuf Luzaj (1913-2000) ishte arsimtar, shkrimtar, veprimtar i Ballit Kombëtar dhe filozof shqiptar.

Ai lindi në Kaninë e Vlorës më 21 shkurt 1913 dhe kreu gjimnazin në Shkodër, më 1933.

Me 1933 vajti në Paris dhe pasi kreu liceun u regjistrua pranë Universitetit të Sorbonës, por pamundësia ekonomike e detyroi të tërhiqej nga studimet. Në Shqipëri u kthye më 1936 dhe pas betimit para mbretit Zog filloi punën në Normalen e Elbasanit si mësues frëngjishteje, drejtor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani. Po si mësues frëngjishteje u transferua në liceun e Korçës në periudhën 1936-1938, ku asokohe punonte dhe diktatori i ardhshëm Enver Hoxha. Bashkë me Sotir Kozmon, ata ishin të vetmit profesorë shqiptarë. Pas Protestës së Bukës të mbajtur në Korçë më 28 nëntor të vitit 1938, Isufin e kalojnë në Institutin Tregtar të Vlorës ku dha letërsi. Në vitin 1938 botoi përmbledhjen e parë poetike me titull “Rrëfime” dhe u burgos për shkak të poezisë “Neroni”, por u lirua si i pafajshëm pas 94 ditësh..

Bashkë me 120 studentë vendosi të luftojë kundër trupave italiane, të cilat zbarkuan më 7 prill të vitit 1939. Me pushtimin e italianëve u mbyllën shkollat dhe Isuf Luzaj merr pjesë ndër protestat e djalërisë dhe qytetarisë vlonjate me 28 nëntor 1939 me flamurin shqiptar pa shenjat e liktorit.

I dyshuar për vrasjen e një polici italian burgoset në Vlorë, transferohet në Durrës dhe pas disa muajve në Brindisi të Italisë me 12 studentë të Institutit Tregtar të Vlorës. Mandej në Gaeta e Ventotene (ishull) ku takoi Abaz Ermenjine Llazar Fundon dhe u mbajt deri në vitin 1942. Transferohet në kështjellën e Cortona D’Arezzo për shkak të disa poezive kushtuar Luftës së Vlorës, ku bie në kontakt me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, Fuad Bej Dibrën e Lef Nosin. Në kështjellë ata shkruan Dekalogun e Ballit Kombëtar, ku propozoi që të hynte pika e shtatë: “Organizata e Ballit Kombëtar do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike”.

Me ndërhyrjen e Ali Këlcyrës te ministri i Arsimit Ernest Koliqi Isuf Luzaj lirohet nga burgu dhe kthehet në Shqipëri në tetor të vitit 1942. Më 12 tetor 1943 merr pjesë në themelimin e Partisë Social-Demokrate në rrethet Shkodër, Tiranë dhe Vlorë me Musine Kokalarin dhe av. Skënder Muço.

Viti 1944 nuk e gjen në Shqipëri, ku kishte lënë gruan më 5 fëmijë të mitur (7-1 vjeç). Vajza e vogël vdiq në Kampin e Përqendrimit në Fushë Krujë për mungesë ilaçesh. Ndërkohë që ishte vendosur në Itali, autoritetet komuniste e kërkojnë për ta riatdhesuar për t’ju nënshtruar “gjyqit të popullit për krime lufte”. Më 1948 largohet drejt Argjentinës, ku fillon punë në Ministrinë e Arsimit si përkthyes i frëngjishtes, italishtes, latinishtes, në spanjisht. Përveç kësaj punë ai përgatiste edhe lajmet për radion Europa e Lirë, dhe gazetën “Laprensa”, ku njihet me shkrimtarin Jorge Luis Borges. Më 1957 diplomohet në letërsi e filozofi, dhe po këtë vit fillon punë në Universitetin e Buenos Airesit, ndërsa më 1960 emërohet drejtor i institutit francez, “La France à l’étranger”, i cili përshëndetet dhe vizitohet personalisht nga ish-presidenti i Francës De Gaule. Në vitin 1961-1962 emërohet këshilltar i Ministrit të Arsimit në Argjentinë, ku përgatiste programet akademike për universitetet e Argjentinës. Më 1965 dekorohet për kontributin e tij me medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires.

Pas këtij viti, fillon punë në Amerikë si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge, në Universitetin e New Hampshire (Nju Hempshajer), e më vonë emërohet shef katedre në këtë universitet. Një karrierë e jashtëzakonshme akademike e ndjek në Amerikë, derisa del në pension në vitin 1980, duke vazhduar të jetë në krye të katedrës së filozofisë në Universitetin e shtetit të Illinoisit ku ishte emëruar që nga viti 1979. Profesor Isuf Luzaj vdiq në vitin 25 nëntor 2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri.

Në vitin 1937 ai botoi librin “Rrëfimet”. Në këtë periudhe libri me vargjet lirike konfiskohet dhe ai dënohet me 94 ditë burgim. Bashkëpunon me revistën “Përpjekja shqiptare”. Në vitin 1946 përfundon librin “Ideoligjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë. Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë. Në vitin 1954 boton novelën politike-shoqërore filozofike kundra komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese Ultramar. Në vitin 1965 boton “Metodologjinë për studimet e filozofisë” që është përdorur për shkollat e mesme. Ndër vitet 1963-1990 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Marksizmit në teori dhe praktikë. Ka lënë 32 vëllime shqip në dorëshkrim. Nga këto i janë botuar: “Gloria e çmendje”, Tiranë 1995; “Ekzistenca dhe Boshësia”, Tiranë 1996; “Sëmundjet e Shekullit Tonë” (Ese filozofike), Tiranë 1999; “Përtej së mirës e së Ligës” (poezi, ese mendime filozofike), Tiranë 2003; “Topografi Labçe” (poemë), Tiranë 2004; “Lamtumira e yjeve” (poemë), Tiranë 2004; “Rindërtimi i fuqive shpirtërore” (refleksione filozofike), Tiranë 2005; “Filozofia e Bukurisë” (pjesë ditaresh, ese, rrëfime), Tiranë 2009; “Festimi i Yjeve” (poezi), Tiranë 2013; “Princesha Rugina” (tragjedi), Tiranë 2015; vëllime nga kolana filozofike “Kujdesjet e Bletës” 2017.

Isuf Luzaj ka marrë titullin “Professor emeritus” në ShBA, një dekoratë që mban shënimin “Profesor i Amerikës” dhe të cilën ia pat dorëzuar vetë presidenti Reagan, për mësimdhënie në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Në vitin 1990 Universiteti i Illinois-it i dorëzoi medaljen “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Në këtë ceremoni merrte pjesë presidenti i atëhershëm i ShBA George H. W. Bush, guvernatori i shtetit të Illinoisit dhe Sekretari i Arsimit. Në dhjetor 1990 Shoqata e Gazetarëve të Amerikës i jep “Medalje nderi” për 94 artikuj të botuar tek “Edistenologjia e Materializmit Historik”.