Josif Bageri (1870-1915), arsimtar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, lindi më 15 gusht 1870 në fshatin Reka e Epërme e Dibrës. Poet me talent të rrallë, prozator që shkroi shumë tregime, sidomos për fëmijë, një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, si dhe gazetar e atdhetar i flaktë, ai ia kushtoi tërë jetën dhe veprën e tij çështjes kombëtare shqiptare. Fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kaloi në vendlindje. Leximin dhe shkrimin shqip e përvetësoi në Sofje në moshën 17-vjeçare, ku mërgoi dhe për një kohë të gjatë punoi si këpucëtar. Krahas kësaj pune, prej vitit 1887 u përfshi edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare atje. Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të shoqërisë shqiptare “Dëshira”, e cila u themelua më 1 janar të vitit 1893, në Sofje. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh, Naim Frashëri, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Ky takim i la mbresa të mëdha. Josif Bageri punoi shumë për çështjen shqiptare, pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime të botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platforma politike, artikuj, komente, reagime. Gjatë veprimtarisë së tij pati një bashkëpunim të ngushtë me Said Najdenin e Jashar Erebarën, Atanas Albanin nga Reka e Epërme, me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetarë të tjerë. Vdiq në Prishtinë në vitin 1915.