Lindita Arapi lindi në vitin 1972, në qytetin e Lushnjës. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, ajo studioi për doktoraturë në Universitetin e Vjenës, Austri. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, në gjuhën kroate dhe atë malazeze. Ajo gjithashtu ka përkthyer edhe autorë nga letërsia gjermane.
Ndër botimet e saj përfshihen koleksionet e poezisë “Kufomë lulesh” (përkthyer në anglisht: Flowery Corpse); “Ndodhi në shpirt” (përkthyer në anglisht: Happening in the soul); “Melodi e heshtjes” (përkthyer në anglisht: Melodies of the silence).
Gjithashtu ka botuar një koleksion të poezisë në gjermanisht “Am Meer, nachts” dhe në italisht “Il cadavere fiorito”. Në vitin 2006 u botua studimi i saj “Wie Albanien albanisch wurde”, Tectum Verlag.
Arapi është nderuar me disa çmime letrare, si: “Kult” 2011 për librin e vitit; “Nositi”, 2008, çmim i Poetekës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës në Tiranë.
Poezitë dhe historia e shkurtër janë përzgjedhur dhe botuar në antologjitë, si: “Poetët e Evropës” (Greywolf Press, 2008), “Rrufeja nga thellësitë” (Northwestern University Press, 2008), “Grenzverkehr” (Drava Verlag, 2013). Romani i saj “Vajzat me çelës në qafë”, 2010, i botuar më vonë në gjermanisht, “Schlüsselmädchen” (Dittrich Verlag, 2013), gjeti jehonë në disa nga mediat e njohura gjermane.
Stacionet e jetës së Lindita Arapit pas largimit nga Shqipëria janë të shumta, por njërit prej tyre ajo i ka mbetur besnike: Gjermanisë dhe qytetit historik anës Rinit, Bon.
Pas përfundimit të doktoraturës në kulturologji në Universitetin e Vjenës, Lindita Arapi u kthye në Gjermani për të vazhduar punën pranë radios “Deutsche Welle”. Lidhja e saj me botën televizive ekzistonte para njohjes së radios. Pas studimeve të letërsisë në Tiranë, Lindita Arapi punoi për gati dy vjet si drejtuese e emisionit të kulturës “Emocionet e fjalës“ në TVSH. Një përvojë e rëndësishme në kushte të vështira tranzicioni – kështu i kujton ajo hapat e parë në botën e televizionit, pak vite pas rrëzimit të diktaturës.
Paralelisht me aktivitetin e saj si shkrimtare, Lindita Arapi punon nga viti 1997 si gazetare dhe bashkëpunëtore e lirë në “Deutsche Welle”. Ajo është moderatore e emisionit “Europa në Fokus“.
Me shumë dëshirë Lindita i kushtohet moderimit të emisionit “Europa në Fokus“, sepse për të ai është një dritare televizive në rajon që, megjithëse i hap kanatat kah Europa vetëm për rreth 30 minuta, me intensitetin e cilësinë e informacionit që ofron, të njeh mjaft mirë me Europën e sotme. “Kush do të kuptojë se si rreh pulsi i Europës që nga kriza e euros, pasojat e papunësisë deri te shqetësimet e ambientalistëve mund të shohë këtë emision. Pra, Europën ashtu siç është vërtet, e pamitizuar, e palustruar, por e jashtëzakonshme në projektin e saj të madh, Bashkimin Europian, me gjithë krizën aktuale”, thotë ajo.

Veprat:
“Kufomë lulesh”, poezi  (“Zëri i rinisë”, Tiranë, 1993)
“Ndodhi në shpirt”, poezi (“Onufri”, Elbasan, 1995)
“Melodi te heshtjes”, poezi  (“Dukagjini”, Pejë,  1998)
“Shenjat e dorës”, poezi të zgjedhura, (“Ideart”, Tiranë, 2006)
“Vajzat me çelës në qafë”, roman (“Ideart”, Tiranë, 2010)
“Çaste”,  kolazhe metropoli (“Dudaj”, Tiranë, 2017)

Vepra në gjuhë të huaj:
“Wie Albanien albanisch wurde. Rekonstruktion eines Albanienbildes”, Vienna, 2001
“Buchpublikation” Marburg, ese, 2005
“Am Meer, nachts”, poezi, 2007

Përkthime:
“Mbrëmje shqiptare”,  tregime me temë shqiptare, Josef Luitpold Stern (“Ideart”, Tiranë, 2005)
“Udhëtim nëpër Shqipëri, 1927”, publicistikë, Joseph Roth (“Ideart”, Tiranë, 2005)
“Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-s”,  antologji , Ardian Klosi; Jürgen Röhling; Afrim Koçi; Lindita Arapi; Jonila Godole; Sonila Sadikaj (“K & B”, Tiranë, 2007)