Ministri i Shtetit për Diasporën dhe IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin) kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me interesa të përbashkëta për sa i përket promovimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve shqiptare që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe vendeve pritëse.
Sipas kësaj marrëveshjeje, të dy palët mund të vendosin të veprojnë bashkërisht në zbatimin e projekteve me institucionet në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën: Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Fondin Shqiptar të Zhvillimit të Diasporës, Qendrën e Botimeve të Diasporës dhe Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët që janë me interes të përbashkët.
Gjithashtu, të dyja palët mund të krijojnë komisione, komitete ose organe të tjera teknike ose këshilluese, për t’i këshilluar ata për çështje me interes të përbashkët.
Fushat e bashkëpunimit mes dy institucioneve do të jenë angazhimi i diasporës për zhvillim në përputhje me politikat e përgjithshme, për zhvillim territorial dhe forcim institucional nëpërmjet transferimit të aftësive dhe dijeve, si dhe angazhimi i diasporës në zhvillimin e vendit nëpërmjet investimeve
Një fokus të veçantë ka edhe zbatimi i programit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë” që do të ketë interesin e bashkëpunimit të institucionit të Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe IOM.