Më 20 korrik 1997, në Uashington, SHBA, ndërroi jetë Dr. Arshi Pipa

Më 20 korrik 1997, në Uashington, SHBA, ndërroi jetë Dr. Arshi Pipa

Më 20 korrik 1997, në Uashington, SHBA, ndërroi jetë Dr. Arshi Pipa, arsimtari, publicisti, poeti, gjuhëtari, kritiku letrar, përkthyesi dhe pedagogu shqiptar. Arshi Pipa studioi për filozofi në Universitetin e Firences në Itali. Prej vitit 1941-1946 dha mësim në Liceun Shtetëror të Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit. Në prill të vitit 1946, u burgos nga regjimi komunist për idetë e tij patriotike e demokratike. Për dhjetë vjet (1946-1956) Pipa vuajti në burgjet famëkeq të Durrësit, Vloçishtit (Korçës), Tiranës, Burrelit etj., ku shkroi vëllimin me poezi “Libri i Burgut”, që është vepra poetike më e mirë e poetit. Pas daljes nga burgu, në fundverën e vitit 1958 ai arratiset dhe vendoset përfundimisht në SHBA. Gjatë kësaj periudhe, pas peripecish e vuajtjesh, arriti të japë leksione në universitetet më të dëgjuara amerikane (Kolumbi, Kaliforni, Minesota etj.). Shkrimet e tij të botuara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në: poezi, estetikë e filozofi dhe kritikë letrare. Përveç veprës “Lundërtarë”, vëllimet e tij poetike “Libri i Burgut”, “Rusha” dhe “Meridiana” janë botuar jashtë shtetit dhe për këtë ende nuk njihen sa duhet nga lexuesi shqiptar. Për sa u përket studimeve dhe kritikës, përmendim sidomos ato që kanë të bëjnë me letërsinë shqipe: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italoshqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.