Kryetarja e Komisionit të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për miratimin e teksteve mësimore për Diasporën Anila Ferizaj në fjalën e saj gjatë takimit të mësuesve në Diasporë tha se shpallja e një teksti fitues të përbashkët është i rëndësishëm jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies por dhe një vlerë morale.
“Shpallja e një teksti fitues të përbashkët është i rëndësishëm për cilësinë e mësimdhënies në diasporë po ka dhe një vlerë morale, atë që ne po bëjmë punë të përbashkëta, punë të mira, atë që ju si mësues të Diasporë e keni filluar me kohë. E keni bashkuar Diasporën me mënyrën se si jepni mësim gjë të cilën dhe shtetet tona e kanë filluar në 2015 dhe mendoj se hap pas hapi do ta shtrijmë e mbështesim në përkushtimin e profesionializmin dhe dashurinë që keni treguar për gjuhën tonë”, tha znj. Ferizaj.
Ajo foli mbi punën e kryer për të arritur në hartimin e kurrikulës së përbashkët për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në Diasporë.
“E rëndësishme të kemi një kurrikul të përbashkët për tu mbështetur në punën tuaj kaq të rëndësishme për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e traditave të kombit tonë. Komisioin për të bërë më të mirën dhe për të nxjerrë një paketë të dokumenteve që të ishte e vlefshme në standare kombëtare por dhe më tej dhe standarde ndëkrombëtare duke ditur që këto tekste do të shkojnë në vende të ndryshme. Tekste të bazuara mbi standarde që të punohet nga të gjithë mësuesit tanë në të gjitha vendet”, tha ajo më tej.
Duke folur mbi standardin e teksteve mësimore të mësimit plotësues, znj. Ferizaj tha se dokumenti i drejtohet specialistëve të arsimit, mësuesve, shtëpive botuese, autorëve të teksteve mësimore, recensues e dhe komisioneve për miratimin e këtyre teksteve. “Qëllim i këtyre standardeve është të përdoren si udhëzues dhe instrument për hartimin dhe vlerësimin e teksteve mësimore për mësimin plotësues të diasporën. Të kujdeshëm të përfshihen aspekte të ndryshme”, vijoi znj. Ferizaj.
Ndërsa kreu i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, Vaxhid Sejdiu foli për përpjekjet e mësuesve në Diasporë për të unifikuar shkollat shqipe çka solli dhe krijimin e KKAD-së. Qëllimi sipas tij është që të bashkërenditen problemet reale për të gjetur zgjidhje.
“Falë përpjekjeve të ministrit Majko dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me QBD morëm një VKM nga qeveria duke u bërë palë konsultuese rreth problematikave të shkollave shqipe në mërgatë”, tha z. Sejdiu
Ai u shpreh për më shumë pika shkollore dhe më shumë nxënës në shkolla shqipe teksa renditi dhe disa problematika.
“Vlerësojmë punën e komisionit të përbashkët dhe mirëpresim produktet e para. Do tu ishim mirënjohës nëse do procedohej në dhënien e certifikatave për nxënësit që kanë përfunduar programin e gjuhës shqipe. Do ju jemi mirënjohës në organizimin e seminareve në përgatitjen e mësuesve. Platforma digjitale është mëse e nevojshme, po nevojitet dhe e printuar. Mendoj se tani është momenti që bashkarisht përveçse ti bashkërendisim kërkesat e këtij lloj mësimi por natyrisht të shohim rezultatet që janë të dukshme gjatë këtij viti po shpresojmë që në të ardhmen të thellohen më tej”, tha ai.