Mësues të shkollave shqipe në Diasporë, zhvilluan një takim online për të diskutuar mbi problematikat e Mësimit Plotësues në gjuhën shqipe.
Pas diskutimeve të shumta mbi gjendjen në të cilën ndodhet vijueshmëria e mësimit të gjuhës amtare në diasporë, sidomos në brezat e dytë e të tretë, u pa si i domosdoshëm informimi i prindërve shqiptarë dhe bashkëpunimi me  institucionet arsimore të të dyja shteteve, Shqipëri dhe Kosovë, për kujdes të shtuar dhe përpjekje të organizuara me baza shkencore, për t’i ruajtur nga asimilimi fëmijët në mërgim.
Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporë diskutoi për rëndësinë e këtij projekti madhor, i cili duhet mbështetur në reformimin e teksteve dhe metodave të mësimdhënies dhe sugjeroi që mësuesit e Diasporës të përfshihen në hartimin e teksteve dhe zgjedhjet didaktike për të siguruar kompetencat e nevojshme gjuhësore dhe kulturore.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte krijimi i një ure bashkëpunimi të qëndrueshme mes mësuesve shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare dhe bashkëkombësve në Diasporë.
Në kryesinë e Këshillit të Mësimit Shqip për Diasporë u zgjodhën kryetar Dr. Vaxhid Sejdiu,  nënkryetare Mira Shehu dhe Teuta Tabaku.

Mëso më shumë