Qendra e Botimeve për Diasporën e drejtuar nga znj. Mimoza Hysa organizoi mbledhjen online të Këshillit Koordinues të Botimeve të QBD-së. Këshilli, me kryetar drejtorin e Bibliotekës Kombëtare z. Piro Misha, me anëtarë prof. Floresha Dado, përfaqësuese e Akademisë së Shkencave, znj. Mira Hoxha, përfaqësuese e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Anila Ferizaj, përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe znj. Etleva Kondi, përfaqësuese e Ministrit të Shtetit për Diasporën, miratoi realizimin e dy projekteve të rëndësishme në ndihmesë të shqiptarëve të diasporës:

  • Krijimin e platformës digjitale për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë;
  • Botimin e revistës letrare “Letra nga diaspora”.

 

“Letra nga Diaspora”, një urë komunikimi në letrat shqipe

 Historia e letërsisë shqipe, e shkruar në një hartë të larmishme gjeografike, të territorit shqiptar dhe më gjerë të vendeve të ndryshme të botës, është e shenjuar gjithherë nga mungesa e një komunikimi të mirëfilltë ndërmjet letrave shqipe.

Me rritjen e migrimit të shqiptarëve, kjo mungesë komunikimi e ndërveprimi vërehet edhe mes letërsisë shqipe brenda Shqipërisë dhe letërsisë së krijuar nga autorët shqiptarë jashtë vendit, një pjesë e të cilëve krijojnë edhe, ose vetëm, në gjuhën e vendit ku jetojnë.

Revista “Letra nga Diaspora” duke u bërë një mundësi përqasjeje e autorëve shqiptarë në formë antologjike, mbi të gjitha synon vendosjen e urave të komunikimit të autorëve dhe lexuesve.

Me publikimin e veprave të autorëve të Diasporës në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të ndryshme, revista “Letra nga Diaspora” ka për qëllim të sjellë në vëmendje risitë, vlerësimet dhe ngjarjet e reja që kanë të bëjnë me autorë shqiptarë jashtë vendit, si dhe ndihmë e mbështetje për njohjen, promovimin dhe botimin e autorëve të Diasporës.

Krijimi i platformës digjitale për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, një domosdoshmëri dhe vlerë e kohës

Duke vlerësuar situatën e krijuar nga emergjenca, si dhe domosdoshmërinë e ofrimit më tepër në fushën e mësimdhënies, Qendra e Botimeve për Diasporën i jep përparësinë dhe përkushtimin maksimal krijimit të një platforme digjitale për mësimin e gjuhës shqipe në distancë për të gjithë fëmijët në diasporë dhe të gjithë ata që janë të interesuar për mësimin e gjuhës shqipe.

Platforma online (web & mobile) e mësimdhënies së gjuhës shqipe do t’i vijë në ndihmë mësuesve, sidomos atyre në Diasporë që të mund të krijojnë klasat virtuale me nxënës të diasporës shqiptare, por dhe me nxënës të huaj që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe.

Platforma do të ofrojë komunikim të drejtpërdrejtë dhe bashkëveprim midis mësuesve dhe nxënësve, por edhe ndërveprim ndërmjet vetë nxënësve.