Poezia për poetin e veprimtarin e shquar Naim Frashëri, “Varrimet e Naim Frashërit”, nga autori i njohur Petrit Ruka është vlerësuar me çmimin e parë në manifestimin poetik “Flakadani i Kujtesës”.

Naim Frashëri, i cili vdiq në datën 25 maj të vitit 1900 Stamboll u varros po atje. Në shenjë nderimi për figurën e tij, vendi i prehjes ndryshoi disa herë. Me rastin e 110-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978.

Petrit Ruka ka një krijimtari të pasur poetike dhe kinematografike. Është nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh” për krijimtarinë e tij letrare dhe kinematografike, si poet, skenarist, shkrim-tar e publicist i shquar”.

 VARRIMET E NAIM FRASHËRIT

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria
Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,
çdo herë e më të lehta eshtrat e holla
gjithmonë e më i madh varri.

Gjithmonë e më i vogël arkivoli
a thua se varrosnin një violinë,
Ti fat i Shqipërisë që u ngrite si i marri
Kur kombi ish me një këmbë në greminë

Gatitu para eshtrave të tua një Mbret,
Jakomoni me stemat e arta fashiste,
Në rresht e gjitha me grushtin përpjetë
Byroja e ngjeshur komuniste.

Të gjithë kërkonin nga ty pak lavdi
Po ti atë me kohë e kishe dhënë,
Kur Shqipëria firasej si hëna nën mjegull
Ti thirre i pari: Zgjohu, moj Nënë!

Dhe ashtu si Krishti që ngriti Llazarin
Ti Atdheun e zgjove nga hashashi osman,
i vetën kaq gjë mund ta bënte veç Zoti
dhe ti grimca e tij, fati ynë naimian.

Nën furrën e ballit sa gjysmë e Tomorrit
shqipen e shkrive dhe e derdhe si ar,
një nga një me ujin e lumenjve të kulluar
na pagëzove e na dhe emrin shqip-ë-tar

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria
Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,
Të gjashtin e te fundit sa shumë do ta desha
Në Frashër,…si Meka e çdo udhëtari…

Zbathur, në këmbë unë rrugën do ta bëja,
mbi sup si violinë t’i mbaja ato eshtra,
I dehur nga besimi se aty nëpër shekuj
Shqipëria do të derdhet nëpër mijëra rreshta…

Burimi