Ndre Mjeda (1866-1937) ishte klerik, atdhetar, filolog, poet dhe aktivist i  madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Lindi më 20 nëntor të vitit 1866 në Shkodër dhe si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari Anton Xanoni dhe poeti françeskan Leonardo de Martino. Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Më 1883 studioi në Kroaci retorikë, latinisht dhe italisht. Nga viti 1884 deri në fillim të vitit 1887 u edukua në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri. Më 1908 ishte pjesë e Kongresit të Manastirit bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin, si përfaqësues i Shkodrës dhe variantit të shkronjave latine. U zgjodh anëtar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit të Njësuar të Shqipes dhe anëtar i Komisisë Letrare Shqipe. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike, Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht të 1937.

Vepra të autorit:

“Jeta e sceitit sc’ Gnon erchmans” (Jeta e Shën Gjon Berhmansit) përkthim, Romë, 1888.

“T’perghjamit e Zojs Bekume” (Vëgimi i Zonjës së Bekuar), përkthim nga spanjishtja, Romë, 1892

“Historia e shejtë”, përkthim nga “Katekizmi i madh” në tri vëllime dhe jetëshkrim i Shën Luigj Gonzagës

“Juvenilia” botim poemash, Vjenë, shtypshkronja Gj. M. Vernay, 1917

“Lissus” libërth, poemth liriko-romantik me 12 sonete, 1928