Njoftim për konkurrim për vend pune

Datë 06.10.2020

Në zbatim të Ligjit nr.16, date 18/04/2018 “Për diasporën”, të Vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën nr. 469, datë 26.07.2018 si dhe Ligjit nr. 7961, datë 12. 7. 1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, QBD do të shpallë në faqen zyrtare të internetit dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” konkursin për pozicionin:

  • Teknik i mesëm në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse pranë QBD-së

Kategoria e pagës për këtë pozicion është VI.

Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:

  1. Administron dhe menaxhon vlerat materiale të institucionit në bazë të udhëzimeve të brendshme dhe dispozitave ligjore në fuqi;
  2. Merr në dorëzim me procesverbal të gjitha vlerat materiale që hyjnë në magazinë;
  3. Administron dhe dokumenton lëvizjen e vlerave materiale dhe dokumentacionit përkatës;
  4. Evidenton në kartelat e magazinës fletë-hyrjet dhe fletë-daljet dhe bën rakordimin e tyre me kartelat e llogarisë;
  5. Harton sipas rregullave fletë-hyrjet dhe fletë-daljet përkatëse në dy kopje, njërën prej të cilave ia dorëzon financieres së bashku me dokumentacionin shoqërues, si dhe i dorëzon pasqyrat e konsumit të materialeve brenda datës 10 të çdo muaji;
  6. Kryen rakordimin e duhur në fund të çdo muaji;
  7. Furnizon punonjësit me materiale pune sipas kërkesës së tyre;
  8. Përgjigjet për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe sistemimin e vlerave materiale që ka në ngarkim;
  9. Kryen në fund të çdo viti në bashkëpunim me financieren inventarin e vlerave ekonomike dhe materiale në përputhje me ligjin nr. 6942, datë 25.12.1984, “Për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”, i ndryshuar;
  10. Raporton dhe përgjigjet tek eprori direkt për të gjitha detyrat e kryera;
  11. Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga eprori direkt apo Drejtori i QBD-së në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe brenda objektivave të punës së tij.

 

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurrimit publik:

 

Të jetë shtetas shqiptar;

Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;

Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;

Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje;

Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore;

Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës.

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme sa vijon:

 

a – Të ketë përfunduar arsimin e mesëm.

b – Të kenë të paktën 3 vite përvojë pune në fushën përkatëse.

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit

Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

Jetëshkrimi CV;

Fotokopje të letërnjoftimit (ID);

Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;

Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve të bëhet brenda datës 09.10.2020, ora 12:00, pranë Zyrës së Protokollit të QBD-së ose në adresën e e-mail-it info@qbd.gov.al:

Në datën 9.10.2020, QBD do të shpallë në faqen zyrtare të internetit listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për të vijuar me testimin, si dhe datën, vendin dhe orën e saktë kur do të zhvillohet intervista.

Në të njëjtën datë kandidatët që nuk plotësojnë kushtet për t’u futur në konkurrim dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht nga QBD-ja për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail).

Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë mbi të cilat do të zhvillohet

 

Kandidatët do të testohen në lidhje me:

– Njohuri mbi Ligjit nr.16, datë 18/04/2018 “Për diasporën”;

– Njohuri mbi VKM-në nr. 469, date 26.07.2018 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”;

– Njohuritë mbi punën në mënyrë specifike, magazinën, fletë-hyrjet, fletë-daljet dhe mbajtjen e dokumentacionit të magazinës.

Mënyra e vlerësimit të kandidatëve

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe certifikimin pozitiv.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a – Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;

b – Eksperiencën e tyre të mëparshme;

c – Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

Data e daljes së rezultateve të konkurrimit dhe mënyra e konkurrimit

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Qendra e Botimeve për Diasporë (QBD) do të shpallë fituesin në faqen e saj zyrtare në web. Të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike nga QBD-ja, për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail).