Në zbatim të Ligjit nr.16, datë 18.04.2018 “Për diasporën”, të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, nr. 469, datë 26.07.2018, i ndyshuar, si dhe Ligjit nr. 7961, datë 12. 07. 1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, QBD-ja shpall  konkursin për pozicionin vakant:

 

Përgjegjës sektori, në Sektorin e Digjitimit, Komunikimit dhe Projekteve

Kategoria e pagës për këtë pozicion është III-b

 

Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion: 

  1. Mbikëqyr përditësimin dhe publikimin e të dhënave dhe lajmeve në kohë reale në faqet e Internetit të instuticionit;
  2. Mbikëqyr hartimin dhe publikimin e librave elektronikë në faqen e QBD-së;
  3. Bashkërendon me Sektorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse drejtimin dhe përpunimin e porosive elektronike për tekstet shkollore, librat digjitale dhe të digjituar, dhe materialet tjera të prodhuara nga QBD;
  4. Nxit dhe bashkërendon veprimtaritë e QBD-së me njësitë tjera të institucionit, si dhe me institucionet e tjera që kanë lidhje me këto veprimtari; mban lidhje të drejtpërdrejta me drejtorin për të siguruar cilësi në punët që kryhen;
  5. Harton dhe mbikëqyr veprimet për realizimin e veprimtarive të institucionit;
  6. Vendos dhe mban lidhje me shoqatat, organizatat, qendrat, përfaqësitë brenda dhe jashtë vendit të cilat kanë diasporën si objekt të veprimtarisë së tyre;
  7. Ndjek dhe koordinon veprimtarinë e marrëdhënieve të QBD-së me institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës për botimet për diasporën, institucione analoge institucionet e tjera që kanë lidhje me këto aktivitete, organizata ndërkombëtare, të huaj si dhe me organizma shkencorë e punonjës të shkencës në viset shqiptare në rajon dhe në diasporë;
  8. Në emër të QBD-së mban lidhje me përfaqësitë diplomatike shqiptare në vende të ndryshme;
  9. Mban lidhje me sektorët përkatës të Këshillit të Ministrave dhe të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
  10. Ndjek hartimin dhe mbarëvajtjen e të gjitha projekteve të miratuara nga Këshilli Koordinues;
  11. Bashkërendon përmbylljen e projekteve me kohë dhe brenda buxhetit. Cakton afate dhe përgjegjësi dhe mbikëqyr dhe harton raporte për mbarëvajtjen e tyre;
  12. Bashkërendon dhe kryen përgatitjet e nevojshme në kuadër tё projekteve europiane, kombëtare dhe ndërkombëtare;
  13. Raporton me shkrim mbi veprimtarinë vjetore, brenda përfundimit të vitit;
  14. Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga Drejtori i QBD-së në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe brenda objektivave të punës së tij.

 

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurimit publik:

  • Të jetë shtetas shqiptar;
  • Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  • Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
  • Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;
  • Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
  • Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore;
  • Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës.

 

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme sa vijon:

  1. Të zotërojë diplomë të nivelit “ Master Shkencor ose Profesional” në Shkenca Shoqerore. Edhe diploma e nivelit “Bachelor” të jetë  në të njëjtën fushë.
  2. Të kenë të paktën 2 vite përvojë pune në fushën përkatëse.

 

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit

  1. Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:
  2. Jetëshkrimi (CV);
  3. Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë  të përcillet njehsimi nga Ministra e Arsimit dhe Sportit dhe listën e notave.
  4. Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  5. Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  6. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  7. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  8. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.

 

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve të bëhet brenda datës 27.05.2022 në adresën e
e-mailit info@qbd.gov.al:

Në datën 27.05.2022, QBD do të shpallë në faqen zyrtare të internetit listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për të vijuar me testimin, si dhe datën, vendin dhe orën e saktë kur do të zhvillohet intervista.

Në të njëjtën datë kandidatët që nuk plotësojnë kushtet për t’u futur në konkurim dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht nga QBD-ja për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail).

 

MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe certifikimin pozitiv.

Totali i pikëve  për këtë vlerësim është 60 pikë.

 

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

  1.  Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
  2.  Eksperiencën e tyre të mëparshme;
  3.  Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

Totali i pikëve  për këtë vlerësim është 40 pikë.

 

Data e daljes së rezultateve të konkurimit dhe mënyra e konkurimit

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Qendra e Botimeve për Diasporën do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të webit. Të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike nga QBD-ja (nëpërmjet adresës së e-mail).