Petro Nini Luarasi (1865-1911) ishte veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, nderuar me titullin “Mësues i Popullit”.
Lindi më 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe ndërkohë përgatiti një grup shokësh si mësues. Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911). Më 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” e “Pellazgu” dhe i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë. Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911.
Bashkëpunoi në organet “Bashkimi i kombit” (Manastir 1909-1910), ku qe dhe redaktor, në “Drita” (Sofje, 1907-1908), “Kombi” (Boston, 1908), “Liria” (Selanik, 1909-1910) ku botoi shkrime publicistike, pedagogjike dhe poezi. Në veprën politike “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911) mbrojti të drejtën e popullit shqiptar për kulturën e vet kombëtare. Propagandoi një nga idetë qendrore të Rilindjes: Bashkimin në luftë për lirinë e Shqipërisë pavarësisht nga besimi fetar.
Është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën.”