Gazeta letrare “Exlibris” sjell një shkrim mbi veprën “Piramida” të Ismail Kadaresë nga autori shqiptar që jeton në Gjermani, mjaft i vlerësuar nga kritika letrare, Arb Elo. Një mënyrë ndryshe leximi parë në kushtëzimin  e kohës së leximit, por edhe të vetë shkrimit të veprës.
“…Po flisja ca më sipër për kohë leximi; nuk ishte e njëjta gjë të lexoje para ’90-ës; tjetër gjë është po ashtu të lexosh nga ’90-ta e këtej. Leximi në robëri është i ndryshëm nga ai në liri, por edhe ky i fundit varet nga lloji i lirisë në të cilën gjendesh.
E njëjta gjë i ka ndodhur, me sa duket, edhe autorit gjatë shkrimit të këtij romani; ndërsa treçereku i librit është shtypës, alegorik dhe asociativ, nga kreu i XII (Dhunimi) e deri te ai i XV (Kafkana) stili ndryshon papritur, syri gjithëparës,- siç tregohet ky në teoritë konspirative, ku nuk harrohet të përmendet simboli masonik mbi dollar, por që mund të krahasohej me këndvështrimin e një autori të gjithëdijshëm,- syri gjithëparës pra, piramidioni, si të thuash, i cili deri më atëherë ka qenë panoramik, vjen e fokusohet te personazhet: e gjitha kjo është shkruar fort bukur e mjeshtërisht, porse nuk është në vazhdën e asaj që e ka paraprirë…”
, shprehet ndër të tjera ai.
Arb Elo është i diplomuar si arkitekt dhe jeton e punon në këtë profesion qysh prej vitit 1990 në Gjermani. Është autor i disa vëllimeve me poezi: “Rrëfime hijesh” (2010), “Mirazh” (2011), “Zero 3D” (2012), “Xixa të zeza” (2013), “End(j)e” (2014), “Rrokje vdeknisht” (2016), “Linjë e vonë” (2017), “Poezi të zgjedhura” (2018) dhe i vëllimit me proza “Ursa Major”. Ka publikuar në revista të ndryshme letrare artikuj kritikë për letërsinë dhe tema bashkëkohore, përkthime ciklesh me poezi nga Hilde Domin, Ingeborg Bachmann, Rose Ausländer, Paul Celan, si edhe ka sjellë në shqip veprën e plotë të Georg Traklit dhe një përzgjedhje të veprës poetike të R. M. Rilkes.

Lexo shkrimin e plotë