QBD/ Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë vendos për tekstet e Diasporës

QBD/ Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë vendos për tekstet e Diasporës

Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve të Përbashkëta për Diasporën, i mbledhur në Tiranë, pranë Qendrës së Botimeve për Diasporën në tre ditë radhazi,  në datat 27, 28, 29 janar, arriti të përmbushë detyrat e përcaktuara në VKM-në Nr. 756, datë 23.9.2020, bazuar në Marrëveshjen e Përbashkët të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë dhe në mërgatë”, datë 23 mars 2015.

Kështu, Komisioni miratoi paketën e plotë e dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, si dhe kriteret e përzgjedhjes së recensuesve të teksteve mësimore të përbashkëta për Diasporën.

Paketa e dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, përpos standardeve të teksteve mësimore të përbashkëta për Diasporën, të miratuara më parë, përmban dhe procedurën e aplikimit të pjesëmarrësve në konkurrim, procedurën e pranimit të teksteve mësimore për konkurrim, dokumentacionin ligjor të subjekteve pjesëmarrëse në konkurrim, procedurën e vlerësimit të teksteve mësimore nga recensuesit, deklarimin mbi çmimin e teksteve mësimore, procedurën e hartimit të listës paraprake të fituesve; procedurën e ankimimit të vendimit, detyrimet e shtëpive botuese, konfliktin i interesit etj.

Paketa e plotë e dokumentacioneve, si dhe propozimi për shpalljen e konkursit për tekstet e përbashkëta për Diasporën do t’u paraqiten për miratim ministrave përgjegjës për arsimin dhe Diasporën, me qëllim shpalljen e konkurrimit për tekstet mësimore për Disporën në një datë sa më të afërt.

Në këtë mbledhje të rëndësishme përmbyllëse të fazës së parë të punës së këtij komisioni, morën pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit me prani fizike dhe online: znj. Anila Ferizaj, kryetare, MASR, Republika e Shqipërisë; znj. Shqipe Gashi-Ramadani, nënkryetare, MASH, Republika e Kosovës; z. Arbër Salihu, MASH, Republika e Kosovës; znj. Feime Llapashtica, MASH, Republika e Kosovës; z. Isni Kryeziu, MASH, Republika e Kosovës; znj. Altea Tahiraj, MASR, Republika e Shqipërisë; znj. Erida Koleci, ASCAP, Republika e Shqipërisë; znj. Evis Mastori, ASCAP, Republika e Shqipërisë dhe znj. Mimoza Hysa Çuliqi, drejtoreshë e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Republika e Shqipërisë.

Ky proces pune i Komisionit dëshmoi vullnetin për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e përbashkëta midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, për një politikë të përbashkët për mësimdhënien në diasporë.

Gazeta “Diaspora Shqiptare”.