Në Ditën Botërore të Librit, Qendra e Botimeve për Diasporë sjell falas online  përkthimin e rrëfimeve  më të dashura nga letërsia shqipe për fëmijë, me autor Mitrush Kutelin. Përrallat e “Tregimeve të moçme shqiptare” vijnë në botimin dygjuhësh shqip-gjermanisht, përkthyer nga Andrea Grill dhe redaktuar nga dr. Erta Spaho-Herri në gjuhën gjermane. Së shpejti dhe në shtyp.
“Tregime të moçme shqiptare” është pjesë e projektit të botimeve dygjuhëshe, ndërmarrë nga QBD-ja. Dhjetë tregime të përzgjedhura nga vëllimi “Tregime të moçme shqiptare”, me autor Mitrush Kutelin, të përkthyera në pesë gjuhë: anglisht, italisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht.
Këto tregime dhe përralla do të shërbejnë për zgjerimin e njohurive, marrjen e informacionit dhe kultivimin e dijeve të nxënësve në Diasporë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën amtare. Ky botim shërben edhe si tekst ndihmës për shkollat në Diasporë, me qëllim thellimin e njohurive të tyre mbi gjuhën shqipe. Vepra e njeh brezin e ri të Diasporës me një autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, si dhe me një gjuhë të pasur, duke kultivuar ndjenjën e krenarisë për identitetin kombëtar shqiptar në Diasporë, duke i njohur ata me pasurinë e tregimeve të moçme shqiptare, si dhe me madhështinë e trashëgimisë sonë popullore. Botimi përfshin ilustrimet e Gazmend Lekës.
Në këtë projekt janë angazhuar përkthyes të rëndësishëm e me përvojë nga gjuha shqipe: Andrea Grill në gjuhën gjermane, Evelyne Noygues në gjuhë franceze, Eugenio Scalambrino në gjuhën italiane, Ron Berisha në gjuhën angleze dhe Eleana Zhako në gjuhën greke.

“Më pëlqen shumë ideja që fëmijët, të cilët i kanë prindërit që flasin shqip, por vetë ende nuk e kanë mësuar, do të kenë mundësinë të lexojnë e të njohin tregimet e moçme dhe shumë interesante të vendit ku janë rritur prindërit e tyre. Veç kësaj edhe tekstet vetë janë të veçantë, janë krejt ndryshe nga tregimet që shkruhen tani, flasin nga një botë tjetër prej kësaj në të cilën jetojmë, dhe njëkohësisht tregojnë shume për Evropën, çfarë është, kontradiktat e saj. Zakonisht unë merrem më shumë me përkthimet e autorëve bashkëkohorë. Ata janë më afër meje, sidomos ngaqë jetojmë në të njëjtën kohë.

Projekti i Kutelit për mua është shumë i bukur pasi ai shkruan ndryshe nga si shkruajmë tani, është edhe i vështirë, por mua më pëlqejnë sfidat – ato ta zbukurojnë jetën.

Në gjermanisht, ne kemi një traditë të vjetër për tregimet në përgjithësi e veçanërisht për fëmijët, kështu që  mua më duket se gjuha e Kutelit, përcillet shumë mirë në gjermanisht. Mund të përdor shprehje që janë pak të harruara në gjermanishten bashkëkohore, për shembull, por që krijojnë  një ngjyrë të bukur në të tashmen, çka më duket se duket jep atmosferën e Kutelit. Ky është vetëm një shembull i thjeshtë, por jam e bindur që teksti do të dalë shumë mirë në gjermanishte dhe do t’i bëjë lexuesit të kuptojnë diçka më shumë  mbi historinë e Evropës dhe jetën njerëzore në përgjithësi”, shprehet përkthyesja e tregimeve të Kutelit në gjermanisht, Andrea Grill.

Andrea Grill lindi më 1975 në Bad Ischl të Austrisë dhe studioi biologji, italisht, spanjisht dhe gjuhësi në Salzburg, Selanik dhe Tiranë. Më 2003 ajo përfundoi doktoraturën e saj për biologji evolutive në Universitetin e Amsterdamit. Shkrimtare dhe përkthyese e shqipes, italishtes dhe holandishtes , Grill jeton në Vjenë dhe Amsterdam. Ka botuar ese, poezi e tregime, si dhe disa romane. Është vlerësuar me çmime të ndryshme letrare, dër to më i fundit është “Austrian Industry Literature Prize – Anton Wildgans” 2021. Ky çmim jepet nga një juri e pavarur që prej vitit 1962, e cila në dhënien e çmimit ndër të tjera u shpreh se në veprat e autores lexuesi gjen një gjuhë të kthjellët e kuptimplotë, të lëvruar, e cila jo rrallë shfaqet me një lloj humori dhe ironie elegante.

“Për brezat e rinj nuk është e rëndësishme vetëm të dinë se ku shkojnë, por edhe nga vijnë. Ata duhet të ecin përpara, por duke e kthyer kokën mbrapa. Të njohësh rrënjët e prejardhjes, përmes rrëfenjave të kaluara ndër shekuj gojë më gojë e të përshtatura kaq bukur në atë që Kuteli e quajti “Tregime të moçme shqiptare” është pjesë e formimit të identitetit të çdo të riu, është pjesë e trashëgimisë së pasur kulturore të popullit tonë. T’ua qasësh atë edhe fëmijëve të lindur e të rritur jashtë kufijve të Shqipërisë është padyshim një ide e shkëlqyer dhe një punë mjaft e mirë në ruajtjen dhe përçimin e vlerave kulturore dhe në një farë mënyre përmbushje e amanetit të heshtur e të fshehur në rreshtat e kësaj vepre, të vetë Kutelit. Përkthimi i një materiali të tillë paraqet vështirësi të mëdha për përkthyesin edhe për shkak të leksikut, por Andrea Grill diti t’i kapërcejë ato e të ofrojë për lexuesin një përkthim të këndshëm në gjuhën gjermane. Për mua si redaktore ishte një kënaqësi e madhe të bashkëpunoja me të dhe të kontribuoja me modesti në këtë ndërmarrje për t’u lëvduar”, shprehet Dr. Erta Spaho-Herri, redaktorja në gjermanisht e tregimeve të Kutelit, sjellë në botimin dygjuhësh (shqip-gjermanisht) nga Qendra e Botimeve për Diasporën.

Dr. Erta Spaho-Herri është prej 22 vjetësh pedagoge e gjuhës gjermane pranë Fakulteti të Gjuhëve të Huaja në UT, me përvojë në fushën e gjuhësisë dhe përkthimit, në të cilën ka mbrojtur edhe disertacionin.

Për ta shkarkuar ose shfletuar librin, kliko këtu.