Qendra e Botimeve për Diasporën, për të dytin vit radhazi, nisi dërgimin e teksteve mësimore në Diasporë, në përmbushje të misionit së saj themelor, atë të pajisjes me tekste mësimore dhe materiale plotësuese të gjuhës e kulturës shqiptare, falas për shkollat e gjuhës shqipe.

Falë një pune të madhe dhe të përkushtuar përgatitore, në bashkëpunim ndërinstitucional me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Postën Shqiptare, si dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, mbi 17 mijë tekste shkollore dhe plotësuese për shkollat e gjuhës dhe të kulturës shqiptare në Diasporë, janë të parac

aktuara për të mbërritur te nxënësit dhe mësuesit e shkollave të gjuhës dhe kulturës shqiptare të 21 vendeve të botës, për vitin 2020-2021 brenda muajit shtator. Njëkohësisht, përpos teksteve shkollore, Qendra e Botimeve për Diasporën vjen edhe me një tjetër risi, me serinë e saj të botimeve dygjuhëshe. Këtë vit nxënësit e shkollave shqipe do të pajisen dhe me fjalorët dygjuhësh shqip-anglisht, shqip-italisht, shqip-greqisht, shqip-ukrainisht, si dhe me përrallat klasike dygjuhëshe shqip- anglisht, shqip-italisht dhe shqip-greqisht, të hartuara si materiale plotësuese për mësimdhënien dhe të botuara rishtas nga QBD-ja.

Këtë javë u nisën dërgesat e para për në Gjermani, Zvicër, Çeki, Francë, Turqi, Belgjikë, Spanjë dhe Rumani.

Për vitin shkollor 2019-2020, Qendra e Botimeve për Diasporën, arriti në kohën e duhur të pajisë me 12 000 tekste mësimore nxënës në 19 shtete të ndryshme, si dhe me materiale të tjera plotësuese në gjuhën shqipe, përzgjedhur me kujdes për fëmijët shqiptarë në Diasporë nga Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën pranë QBD-së.

Tekstet mësimore dhe literatura plotësuese janë siguruar dhe botuar nga QBD-ja në përmbushje të kërkesave të dërguara nga shkollat shqipe në Diasporë dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 523, datë 1.07.2020, për “Miratimin e çmimeve dhe të kategorive që përfitojnë falas tekstet e botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, për vitin shkollor 2020-2021”.