Qendra e Botimeve për Diasporën zhvilloi mbledhje online me përfaqësues të shkollave dhe mësuesve të gjuhës shqipe në Kanada. Në të morën pjesë: Adriana Fishta-Bejko, Ambasadore e Kombit dhe Anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës, shkolla “Foleja e Shqiponjave” në Calgary; Mira Shehu, Ambasadore e Kombit, shkolla “Klubi i Shqipes” në Halifax; Zoica Dhamo, nënkryetare e Bordit të shkollës “Foleja e Shqiponjave” në Calgary; Daniela Lumani, shkolla “Foleja e Shqiponjave” në Calgary.
Takimi shërbeu për një njohje më të mirë të problematikës së mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë dhe për bashkërendimin e punës për të ndihmuar procesin e mësimdhënies. Ndër të tjera u diskutua mbi mënyrën e organizimit të mësimit të gjuhës shqipe në Kanada e në shkolla të veçanta, mbi hartimin e teksteve të përshtatshme për mësimdhënien në Diasporë, mbi ndihmesën e platformave dhe materialeve didaktike online për mësimin e gjuhës shqipe, nevojën e ngritjes së një forumi online të mësuesve të diasporës, nevojën për promovimin e praktikave të mira dhe të suksesshme të mësuesve për shkëmbimin e përvojave të ndërsjellta, për një vëmendje më të madhe për njohjen e problematikave dhe plotësimin e kërkesave të mësuesve të Diasporës etj.
Mësuesit përshëndetën nismën e Qendrës së Botimeve për Diasporën për organizimin e takimeve online dhe në veçanti punën e bërë deri më tani për të ndihmuar mësimdhënien në Diasporë. Ky takim shërbeu për një njohje më të mirë të problemeve dhe njëkohësisht për të vendosur një komunikim më të drejtpërdrejtë që do të ruhet në vijim.