Qendra e Botimeve për Diasporën në vijimësi të mbledhjeve të organizuara online me drejtuesit dhe përfaqësuesit e lidhjeve të mësuesve në diasporë, me qëllim marrjen e informacionit dhe zgjidhjes së problematikave të lindura nga situata e re e krijuar prej gjendjes së pandemisë globale, zhvilloi sot mbledhjen me mësuesit e gjuhës shqipe në Zvicër dhe përfaqësues të QBD-së, nën drejtimin e znj. Mimoza Hysa.
Mësuesit e pranishëm në mbledhje ishin: Vaxhid Sejdiu, Qefsere Sejdiu, Mimoza Dako, Albulena Jusufi, Nora Macula, Teuta Myrtaj, Ardian Shaqiri, Luljana Dodaj. Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte sensibilizimi i komunitetit shqiptar për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe, përmes organizimit të fushatave promocionale dhe aktiviteteve për gjuhën dhe kulturën shqiptare; përfshirja dhe bashkërendimi i punës me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë për mbështetjen mësimit të gjuhës shqipe; hartimi i teksteve të përshtatshme për mësimdhënien në Diasporë; pajisja me certifikata të njohjes së mësimdhënies të mësuesve dhe nxënësve; pajisja me literaturë plotësuese, me mjete didaktike argëtuese, me CD me këngë shqiptare, tituj të rinj për pasurimin e bibliotekave ekzistuese etj.
Palët diskutuan ruajtjen e komunikimit dhe zhvillimit të mbledhjeve online në të ardhmen si një ndihmesë për diskutimin dhe zgjidhjen e problematikave të krijuara.
Mbledhjet do të vijojnë edhe me përfaqësuesit dhe drejtuesit e lidhjeve të mësuesve në vendet e tjera.