Qendra e Botimeve për Diasporën paraqitet në Panairin e Parë të Librit në Diasporë të zhvilluar në Uster të Zvicrës. Ky aktivitet u realizua nën organizimin e shoqatës “Bashkimi”, me praninë e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, të shtëpive botuese vendase dhe shqiptare, si dhe të shkrimtarëve dhe mësuesve në Diasporë. E ftuar në këtë panair, Qendra e Botimeve për Diasporën prezantoi punën e saj të deritanishme, vizionin, misionin dhe projektet në proces. Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e kësaj qendre, znj. Mimoza Hysa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional midis shteteve tona, Kosovës dhe Shqipërisë për hartimin dhe zbatimin e një politike të përbashkët në mbështetje të mësimdhënies në Diasporë. “Gjuha shqipe është hapësira, që nuk njeh kufij gjeografikë mes shteteve të shqiptarëve, mes atyre që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, apo në vende të ndryshme të botës. Është gjuha që na identifikon si bashkëkombës dhe pikërisht kjo gjuhë duhet të përbëjë dhe urën tonë më të mirë të komunikimit. Ta përdorim pra gjuhën, në dobi të çështjes së shqiptarëve, pa dallim origjine apo përkatësie.”

Në një seancë të veçantë u bë dhe prezantimi i Qendrës së Botimeve për Diasporën, në një bashkëbisedim të rëndësishëm me mësues, shkrimtarë dhe nxënës të shkollës shqipe.

Të pranishmit patën mundësinë të njihen me punën e Qendrës së Botimeve për Diasporën përmes materialeve promocionale, broshurës dhe Udhëzuesit për mësimdhënien në Diasporë.