Sot, Qendra e Botimeve për Diasporën priti Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në Shqipëri z. Halim Krasniqi, Ministrin Këshilltar pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë z. Haxhi Bajraktari, drejtoreshën e Drejtorisë së Diplomacisë Publike dhe Diasporës znj. Mira Hoxha dhe drejtoreshën e Drejtorisë së Shërbimeve të Brendshme znj. Etleva Haka, përfaqësuese të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën kujdesin e drejtoreshës së Qendrës së Botimeve për Diasporën znj. Mimoza Hysa dhe përfaqësuesve të stafit të QBD-së.
Tema e diskutimit të këtij takimi ishte bashkërendimi i punës mes institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me mësimdhënien në Diasporë, si dhe  vijueshmëria e punës së Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën, me qëllim arritjen e produkteve të përbashkëta dhe cilësore në shërbim të shqiptarëve në mërgatë.
Pas një prezantimi të Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe aktiviteteve të saj për të pranishmit, znj. Hysa u ndal në punën e bërë lidhur me nxitjen dhe organizimin e punës së Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën dhe theksoi nevojën parësore për dialog e bashkëpunim për një strategji të përbashkët lidhur me problematikat në diasporë.
Në vijim, duke theksuar nevojën e promovimit të gjuhës shqipe në Diasporë, znj. Hysa prezantoi gjithashtu edhe botimet e Qendrës, duke u ndalur në serinë e botimeve dygjuhëshe, konceptuar posaçërisht në dobi të nxënësve në Diasporë, revistën letrare “Letra nga Diaspora” si një projekt në vijim me interes për letrat shqipe, si dhe u ndal në projektin më të ri të QBD-së, hartimin e platformës digjitale të mësimit shqip.
Znj. Hoxha vlerësoi takimin e përbashkët mes përfaqësuese të institucioneve të të dy vendeve dhe theksoi nevojën për zgjerimin e komunikimit të ndërsjellë, si dhe praninë e përfaqësuesve nga Ministritë e Arsimit të të dy vendeve në një tryezë pune të përbashkët, përmes një kalendari periodik takimesh.
Z. Krasniqi nënvizoi domosdoshmërinë e platformave digjitale në mësimdhënie si një lehtësi dhe nevojë e kohës. Të pranishmit diskutuan mundësinë e bashkëpunimit në këtë fushë në funksion të qëllimit të përbashkët: koordinimin mbarëshqiptar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë dhe arritjen e rezultateve të efektshme.
Z. Haka nënvizoi nevojën e përfshirjes së ekspertëve dhe teknicienëve në takimet e përbashkëta me qëllim gjetjen e zgjidhjeve efektive në zbërthim të marrëveshjeve midis palëve.
Z. Bajraktari vuri në dukje mungesën e teksteve të përbashkëta për nxënësit në diasporë, si dhe përafrimin e kurrikulave dhe programeve të përbashkëta edhe për sistemin e detyrueshëm shkollor në Shqipëri dhe Kosovë.
Konsulli shprehu gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim, me qëllim nxitjen e ndërveprimit të mirërenduar midis palëve, realizimin e ideve të reja dhe theksoi nevojën e takimeve të mëtejshme lidhur me hapa konkretë e produktivë lidhur me këtë çështje.
Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën është ngritur në zbatim të marrëveshjes së miratuar midis dy shteteve “Për organizmin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë dhe mërgatë”, dhe së shpejti do të mblidhet për takimin e radhës në Tiranë.