Pas Takimit të Shkrimtarëve të Diasporës, organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën më 22 shkurt, në Tiranë, ku ishin të ftuar drejtuesit e festivalit Passaggi, dy prej autorëve të Diasporës të pranishëm në takim, Durim Taçi dhe Arben Dedja, u përzgjodhën për të qenë pjesë e Festivalit. Dy shkrimtarët shqiptarë do të bëjnë prezantimin e tyre më 29 gusht, në Fano. Durim Taçi do të prezantojë romanin e tij “Extra Time”, brenda revistës së tregimit ” Evropë / Mesdhe”, ndërsa Arben Dedja do të prezantojë “Trattato di medicina in 19 racconti e 1/2” (Traktati mjekësor në 19 tregime e 1/2). Formati i prezantimit do të përfshijë një bisedë një-orëshe me një gazetar ose kritik letrar.
Passaggi Festival lindi në 2013 në Fano, i konceptuar dhe drejtuar nga gazetari Giovanni Belfiori së bashku me historianin Claudio Novelli. Ky festival është evenimenti më i madh veror italian kushtuar librit dhe promovohet nga shoqata Passaggi Culture. President i Festivalit Passaggi është z. Cesare Carnaroli.