“Meshari” i Gjon Buzukut (1555), vepra më e vjetër që njohim në gjuhën shqipe dhe i pari përkthim liturgjik në shqip, gjendet në një kopje të vetme, e cila ruhet në Bibliotekën e Vatikanit.

Gjon Buzuku e përktheu nga italishtja e latinishtja, me qëllim që ta përdornin priftërinjtë që shërbenin në trojet shqiptare. Përveç mesharit libri përmban edhe lutje, katekizma e rituale Buzuku dëshmon se për veprën e tij punoi brenda harkut kohor 20 mars 1554 dhe 5 janar 1555.

Vepra u zbulua dy shekuj më vonë nga prifti Imzot Gjon Nikollë Kazazi, i cili i shkroi një letër At Gjergj Guxetës, rektorit të seminarit arbëresh të Palermos. Pas pothuaj një shekulli letra e Kazazit dërguar Guxetës u shpluhuros nga Imzot Giuseppe Crispi dhe pas një fushate kërkimore që nisi më 1909, u rizbulua nga peshkopi arbëresh Pal Skiroi. Skiroi lajmëroi të përkohshmet e kohës se do t’i bënte një studim veprës që më pas ta rishtypte, lajm ky që bëri bujë dhe shtyu françeskanët në Shkodër që të porositnin tri kopje fotografike. Më 1930 Justin Rrota solli kopjen e parë fotografike të librit në Shqipëri, dhe qe ndër studiuesit e parë të veprës.

Autori Dhimitër S. Shuteriqi bën një hulumtim për të gjetur se si arriti në Vatikan kopja e vetme e njohur gjer më tani e Buzukut.

 “Meshari” i Buzukut u vu, me sa duket, në indeks nga Inkuizicioni, kështu që libri u zhduk gati krejt dhe sot njihet në një kopje të vetme në Bibliotekën Vatikane. Atë s’e përmend asnjë autor pasardhës përpara Pjetër Bogdanit (1665). Zbulimi që i bëri Nikollë Kazazi (1740) nuk e shpëtoi nga heshtja. U desh që ta rizbulonte Pal Sqiroi, në fillim të shekullit tonë, që të niste e të bëhej mirë i njohur. Gati tre shekuj e gjysëm heshtjeje kaluan mbi librin e parë që dimë të jetë botuar shqip.

Me interes është që të njihet se nga çfarë vendi e ka prejardhjen kopja e vetme e librit të Buzukut. Mbi këtë libër ka disa anëshkrime, ku gjejmë emrat e dy klerikëve që e kanë përdorur atë, një Gjon e një Gjergj, si edhe emrat e tre të tjerëve, të cilët u janë drejtuar dy të parëve me anëshkrimet e tyre, për t’i përshëndetur e për ndonjë porosi: një Mark, një Pjetër e një Nikollë. Në një faqe, ose në kapakun e fundit të librit, lexojmë edhe emrin e një Kola Kuçi dhe, nën këtë emër, kemi fjalën Asanes. Është pikërisht kjo fjalë që na shpuri të kërkojmë prejardhjen e ksomblës së librit të Buzukut nga fshati i sotëm Hasanaj, pak në jugperëndim të Fushë-Krujës. Ky fshat, më 1431 dhe në pjesën e parë të shek. XVII, thuhet Asanes”, shprehet Dhimitër Shuteriqi në shkrimin e tij të botuar në gazetën letrare “Exlibris”.

Përmes hulumtimit të tij, Shuteriqi sjell fakte interesante jo vetëm për personat që mund të kenë zotëruar librin, duke u bërë kështu përcjellës të tij, por edhe për toponimet e vendeve ku kanë shërbyer ata, të dhëna të tjera gjuhësore e gjeografike.

“…Duke ditur se libri ka bërë pjesë në Bibliotekën e Kolegjit Urban në Romë dhe e ai kolegj u krijua më 1627, kërkuam dokumentet fill përpara dhe pas kësaj date. Në një relacion të njohur të Marin Bicit, të vitit 1610, hasëm në të dhëna me interes të veçantë për fshatrat midis Krujës dhe detit, pranë Asanesit. Kështu, në qershor të atij viti,  në Laç ka qenë famulltar një Gjon, ndërsa në Qullës të zonës së Rodonit një Gjergj. Po në këtë zonë, n Muzhëll ka qenë famulltar një Mark (vendas) e në Shporaj një Nikollë, kurse midis këtyre fshatrave dhe Asanesit, në Bëlaj (sot Bilaj), shërbente një Pjetër. Janë pikërisht të pesë emrat që hasim në anëshkrimet e përmendura…”

Sipas Shuteriqit, librin e rrallë të Buzukut ka shumë mundësi ta ketë gjetur e konfiskuar Marin Bici, i cili kishte ardhur në Shqipëri me mision nga Inkuzicioni në vitin 1610.

Shfleto shkrimin e Dhimitër S. Shuteriqit