Sotir Kolea

Sotir Kolea

Sotir Kolea lindi më 4 shtator 1872, në Berat. Babai i tij, Kristo Kolea, ishte jurist dhe punonte si këshilltar ligjor për kompaninë franceze “La Regie Des Tabacs”, e cila mbante monopolin e prodhimit të duhanit, në Perandorinë Osmane. Rreth moshës nëntë vjeç, Sotiri shkoi në Manastir, ku jetonte xhaxhai i tij Ilia, tregtar i po kësaj kompanie. Pas diplomimit në gjuhën greke në gjimnazin lokal, ai u punësua nga kompania “La Regie Des Tabacs” dhe punoi në degën e saj, në Ohër. Më 1896 vazhdoi punën si mësues i gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar të Kavallës. Mes viteve 1899 dhe 1902, Sotiri u transferua në degët e shoqërisë, në Drama dhe Kavalla të Greqisë. Në vitin 1911, zgjidhet sekretar i shoqatës “Bashkimi”, në Egjipt, së bashku me dr. Mihal Turtullin, inxh. F. Shirokën, A. Xhuvanin etj. Në dërgatën e Londrës ai merr pjesë bashkë me Rasih bej Dinon dhe Mehmet bej Konicën. Në periudhën 27 shkurt – 6 mars të vitit 1913 në Austro-Hungari, së bashku me Faik Konicën, organizon Kongresin e Triestes. Në vitin 1914, pas takimeve në Brindisi dhe Leçe me rrethet e patriotëve shqiptarë, Sotir Kolea, vendoset në Lozanë, ku në vitin 1915, me bashkëpunëtorët e vjetër dr. Turtullin, Hilmi Këlcyrën e P. Calen, drejton në gjuhën frënge gazetën “L’Albanie”.