Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa zhvilloi sot një takim me z. Atakan Doğan, Atasheun e Arsimit të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shqipëri për bashkëpunim në realizimin e projektit të platformës dygjuhëshe.

Z. Doğan informoi se mësimi i gjuhës shqipe në Turqi është pjesë e programit shkollor si gjuhë fakultative dhe ndiqet prej rreth 50 mijë nxënësish. Ministria e Arsimit ka hartuar dhe shpërndarë për nxënësit e gjuhës shqipe tekste shkollore në tri nivele të hartuara nga Universiteti i Trakisë atje.

Një nga pikat kryesore të takimit ishte mbështetja e Fjalorit Shqip-Turqisht për nxënësit e gjuhës shqipe në Turqi. Pala turke mori përsipër botimin, shtypjen dhe shpërndarjen e 50 mijë kopjeve të fjalorit të përgatitur nga Qendra e Botimeve për Diasporën, kopje të cilat do të jenë gati për vitin shkollor 2020-2021.

U bisedua gjithashtu dhe për botimin e serisë së përrallave klasike për fëmijë në dy gjuhë shqip-turqisht, si dhe për hapat konkrete që do të ndërmerren për ngritjen e një grupi pune teknik për librat plotësues që do të hartohen dhe botohen në mbështetje të Ministrisë së Arsimit të Turqisë.

Brenda muajit mars 2020 do të zhvillohet takimi i grupit të punës, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit të Turqisë dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën.