Në Tiranë është mbajtur takimi i parë i mësuesve në Diasporë, ku të ftuar janë mësues të cilët trajtojnë problematika të ndryshme që lidhe me mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë, para dhe gjatë pandemisë.
Në fjalën e tij ministri i shtetit për Diasporën Pandeli Majko duke vlerësuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës përsa i përket mësimdhënies në Diasporë tha se aktualisht janë në fazën e miratimit të teksteve të përbashkëta.
“Tani jemi në fazën e miratimit të teksteve. Mendoj se kemi nisur këtë punë duke pasur vetëm një abetare të përbashkët dhe aktualisht po punojmë që me shpresë pasi është në dorë të ekspertëve dhe atyre që ia dinë kësaj pune vitin tjetër arsimor, jo në shtator të këtij viti po tjetrit të nisim punën me librat e rinj të përbashkët për mësimdhënien në diasporë të miratuar nga të dyja ministritë e Arsimit në Shqipëri dhe Kosovë. Mendoj se ky është një nga revolucionet e vogla të padukshme që sidomos e ndjejnë dhe ndjehet nga ata që janë protagonistët e vërtetë të këtij takimi, mësuesit në diasporë”, tha ndër të tjera ministri Majko.
Ai vlerësoi rolin e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë si një strukturë me mësues shqiptarë në gjithë botën të cilët janë pjesë e pandarë e bashkëpunimit dhe diskutimit për interesat e përbashkëta.
“Takimin e Mësuesve të Diasporës” është aktiviteti i radhës i Qendrës së Botimeve për Diasporën, synimi i së cilës është krijimi i një strukture të konsoliduar për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Diasporë.
Kujtojmë krijimin e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) i cili nisi punën më 1 shkurt të këtij viti. Miratimin pas një pune prej më shumë se një viti nga dy ministritë respetikve të Shqipërisë dhe Kosovës të koordinuara nga Qendra e për Diasporën i një kornize standarde për tekstet e Diasporës.