Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën zhvilloi mbledhjen e radhës në Kosovë, në datat 12 – 13 korrik. Kjo mbledhje u mbajt pas përfundimit të fazës së aplikimeve për recensues për vlerësimin e tekstit mësimor për mësimin plotësues në diasporë dhe mërgatë, niveli I. Komisioni shqyrtoi për dy ditë rresht 45 aplikime për përzgjedhjen e recensuesve të nevojshëm për fazën përfundimtare të procesit të vlerësimit të tekstit të përbashkët për Diasporën dhe miratoi listën e recensentëve që do jenë në dispozicion për vlerësimin e tekstit të përbashkët për diasporën, niveli I.
Mbledhjen e përshëndetën Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, Sekretarja e Përgjithshme e MASHTI të Kosovës, znj. Fadile Dyla, drejtoresha e Departamentit për Ruajtjen dhe Kultivimin e Arsimit dhe Kulturës në Diasporë në Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, znj. Maliqe Hashani.
Në këtë mbledhje të rëndësishme të punës së këtij Komisioni, morën pjesë anëtarët e Komisionit: znj. Anila Ferizaj, kryetare, MASR, Republika e Shqipërisë; znj. Shqipe Gashi-Ramadani, nënkryetare, MASHTI, Republika e Kosovës; z. Arbër Salihu, MASHTI, Republika e Kosovës; znj. Feime Llapashtica, MASHTI, Republika e Kosovës; znj. Altea Tahiraj, MASR, Republika e Shqipërisë; znj. Erida Koleci, ASCAP, Republika e Shqipërisë; znj. Evis Mastori, ASCAP, Republika e Shqipërisë dhe znj. Mimoza Hysa Çuliqi, drejtoreshë e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Republika e Shqipërisë.
Ministrja e Arsimit, znj. Arbërie Nagavci, shprehu gatishmërinë e plotë për mbështetjen e këtij procesi të rëndësishëm dhe theksoi domosdoshmërinë e vijimit të punëve të përbashkëta për Diasporën.
Kryetarja e Komisionit vlerësoi mbështetjen që Ministrat e Arsimit dhe Diasporës së dy vendeve i kanë dhënë Komisionit të Përbashkët. Znj. Anila Ferizaj, u shpreh besimplotë se vizioni i tyre për aktivitete të tjera të përbashkëta për Diasporën do të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe do të sjellë produkte konkrete cilësore në dobi të Diasporës, e cila është një vlerë e paçmuar kombëtare.
Drejtoresha Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, e quajti punën e Komisionit të Përbashkët një model mirëkuptimi dhe bashkëpunimi që mund të krijojë bazën për zbatimin e pikave te tjera të marrëveshjeve midis dy vendeve për Diasporën.

Komisioni i Përbashkët do të vijojë punën me çështjet e tjera të parashikuara në kalendarin e punës, mbylljen e aplikimeve në konkursin e tekstit të përbashkët për tekstin mësimor për mësimin plotësues në diasporë dhe mërgatë, niveli I, në datat 26-28 korrik 2021, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në Prishtinë dhe në datat 29 – 31 korrik, në Qendrën e Botimeve për Diasporën, në Tiranë.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës përmbushën detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e përbashkëta midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, për një politikë të përbashkët për mësimdhënien në diasporë dhe më anë të kësaj pakete të dokumenteve për procedurat e konkurrimit për tekstet mësimore të përbashkëta për Diasporën, tashmë i ka hapur udhën krijimit të këtyre teksteve, duke afruar kohën në të cilën ato do të jenë në duart e nxënësve në Diasporë.