Teuta Tabaku: Gjuha amtare, busulla ime

Teuta Tabaku: Gjuha amtare, busulla ime

Qendra e Botimeve për Diasporën sjell një cikël intervistash me mësues shqiptarë në Diasporë, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës shqiptare dhe forcimit të lidhjeve të komunitetit shqiptar në vendin ku ndodhen.

 

Teuta Tabaku është mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë.  Ajo u largua nga Shqipëria në qershor të vitit 1992.  Pas një periudhe të gjatë integrimi, u angazhua vullnetarisht për të dhënë kontributin e saj në komunitetin shqiptar në Turqi, për informimin dhe zhvillimin e Diasporës atje.
Me hapjen e Konsullatës së Nderit, një hap i rëndësishëm nga ana e saj ishte hapja e Kursit të Gjuhës Shqipe (pa pagesë), identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha familjeve shqiptare që emigruan në Turqi në vitet ’90. Ky regjistrim solli pajisjen e tyre me dokumente dhe regjistrimin e fëmijëve të emigrantëve në Shkollat Publike Turke.
Përgjatë viteve 2003-2015 në strehën e Konsullatës së Nderit, ajo organizoi aktivitete të ndryshme kulturore e historike lidhur me njohjen e reciproke të trojeve shqiptare dhe turke, si dhe për përkrahjen sociale e ekonomike të nxënësve, studentëve dhe familjeve të tyre. Këto aktivitete vazhdojnë edhe në ditët e sotme.
Për thuajse tri dekada, ajo ka punuar për ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar atje, i cili përfshin bashkëkombës nga të gjitha trojet shqiptare.
Në vitin 2017, me mbështetjen e bashkisë, ajo hapi zyrtarisht Kursin e Gjuhës Shqipe në shkollën Publike të Bursës në Turqi.
Ka marrë pjesë në shumë konferenca e seminare për informimin, mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, zhvillimin e marrëdhënieve turko-shqiptare, si në Turqi, ashtu dhe në trojet shqiptare.
Për kontributin e saj vullnetar për komunitetin, Teuta Tabaku u nderua me titullin “Ambasadore e Kombit” nga Ministri i Shtetit për Diasporën në Shqipëri z. Pandeli Majko, në Samitin e Dytë të Diasporës.
Në vitin 2019, Qeveria dhe Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës e vlerësoi me çmimin “Gruaja në Diasporë, Digë e fuqishme kundër asimilimit”.

Cila është historia juaj e ikjes nga Shqipëria dhe si ndikoi te ju ky ndryshim?

Unë nuk dëshiroja të largohesha nga vendi im, por arsyet dhe kushtet në të cilat gjendej vendi në vitet ’90 dihen nga të gjithë.  Më 1992 vendosëm për të gjetur rrugën e largimit nga vendi ynë… Shumë e vështirë të lësh vendin tënd ku linde, u rrite, u arsimove, krijove familjen dhe solle në jetë fëmijët. Të lësh atë çka e ndërtove me sakrificën më të madhe dhe të marrësh rrugën e emigracionit, ku nuk kishte asnjë siguri jete, pune, profesioni, por vetëm një botë të panjohur.
U desh shumë kohë që ta pranoja këtë ndryshim rrënjësor.

A qe e lehtë përfshirja në komunitetin shqiptar atje? Si ishte i organizuar ai atëherë dhe a ka ndryshuar ky organizim sot?

Përfshirja në komunitet nuk ishte e lehtë. Atje kishte nga të gjitha trojet ballkanike, sekush mbante traditat e zonës së vet, me fanatizëm, ngaqë nuk u pëlqente ndryshimi.
Në atë kohë mblidheshin në një shoqatë, në kafet e vogla që kishin pranë shtëpive, për dasma etj.
Patjetër tani ka më shumë ndryshim, njohja me gjuhën shqipe, zhvillimi i rrjeteve sociale në internet, ardhja e tyre në trojet tona, duke vizituar vendet e të parëve. Duke folur gjuhën shqipe marrin të dhëna direkt vetë.

Si është lidhja juaj me gjuhën amtare dhe si ka ndryshuar kjo lidhje për shkak të emigrimit?

Lidhja me gjuhën amtare  nuk ka ndryshuar në jetën time, por po forcohet edhe më shumë duke punuar e zhvilluar projekte të reja, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit , pa dëmtuar të dyja gjuhët, shqipen dhe turqishten.

Po me gjuhën e vendit ku jetoni, si është kjo lidhje?

Lidhja me gjuhën turke është lidhje e pandarë, sepse jetoj e punoj në këtë vend. Duke mbrojtur e mësuar gjuhën shqipe tregoj kujdes të madh edhe për gjuhën turke, e cila është një gjuhë e bukur që flitet në shumë dialekte dhe i shërben një popullsie e një kulture mozaik.

Si ka ndryshuar qasja juaj ndaj mësimdhënies, për shkak të vendit ku jetoni? A mund të bëni një krahasim?

Qasja ka ndryshuar, lidhur me kolegët turq dhe duke iu referuar kritereve e rregullave që ka mësimdhënia këtu, duke respektuar ligjet e vendit.

Ju jetoni prej dekadash në Turqi, si ka ndryshuar ndër vite interesi i emigrantëve shqiptarë atje për të mësuar shqip?

Po, kam gati tri dekada. Interesi i emigrantëve shqiptarë në Turqi është rritur çdo vit, kjo ka ardhur nga puna që kam bërë në kurset e gjuhës shqipe, mbledhjet , konferencat, seminaret etj.
Gjatë mësimit, unë nuk shpjegoj vetëm gramatikën e gjuhës shqipe, por çdo temë e lidh me historinë, kulturën, letërsinë, gjeografinë e të gjitha trojeve tona. Në fund e lidh edhe me vendin ku jetojmë.

Përveç mësuesisë, ju jeni përkushtuar edhe në organizimin e jetës kulturore të komunitetit shqiptar atje. Si ka ndodhur kjo dhe si ka qenë kjo përvojë juaja?

Po, i jam përkushtuar edhe organizimit të jetës kulturore, duke krijuar: Klubin e Letërsisë Turko-Shqiptare, Ditën e Letërsisë Shqiptare, Ditën e Letërsisë Turke.

Si e keni ndërtuar marrëdhënien tuaj me nxënësit e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Turqi?

Marrëdhëniet e mia me nxënësit janë korrektësia, sinqeriteti dhe dashuria. I përshtatem çdo moshe, i dua dhe më duan ashtu si jemi, i dëgjoj dhe më dëgjojnë me kujdes.
Kur hyj në klasë, po të shoh sy të trishtuar, do të zgjidh problemin që ka, më vonë fillon mësimi. Nuk lodhem kurrë për t’i mësuar më shumë, lodhja e punës është lumturi.

Përse e këshilloni mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare për të rinjtë atje?

Të rinjtë i këshilloj që gjuhën shqipe ta transmetojnë edhe te brezat që do të vijnë, jo vetëm duke dëgjuar, por edhe duke lexuar e shfletuar në gjuhën shqipe. Aty është ndjenja, dashuria e respekti për veten, për rrënjët e veta.

Ju keni deklaruar se mësuesia është pasioni juaj, çfarë vlere ka marrë profesioni juaj në Diasporë?

Mësuesia për mua është detyrë, një mision të cilin po e kryej me të gjitha forcat e mia, duke pasur gjithmonë pranë dashurinë, patriotizmin e pastër, të sinqertë, të ndershëm, mundin e sakrificën e familjes sime që më ka mbështetur për tri dekada.

Një fjalë të fundit për bashkatdhetarët…

Mund të punoni e jetoni kudo, por punoni e mbroni Gjuhën Shqipe. Vlerat e saj ju ndihmojnë për mësimin e çdo gjuhe të huaj, ajo është si një busull që ju drejton. Lexo, shkruaj dhe argëtohu shqip.