U firmos sot marrëveshja e bashkëpunimit mes Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Qendra e Botimeve për Diasporën dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve për mbështetjen dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë.
Duke vlerësuar rëndësinë e përhapjes, studimit dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë, institucionet ranë dakord për bashkërendimin e punës për hartimin, përzgjedhjen, përshtatjen, përmirësimin e teksteve shkollore dhe literaturës plotësuese për mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë; ofrimin e përvojës për didaktikën e mësimdhënies së gjuhës shqipe jashtë vendit si dhe përgatitjen e materialeve didaktike të mësimdhënies në shërbim të një platforme digjitale të mësimit të gjuhës shqipe, si dhe organizimin e aktiviteteve dhe konferencave të përbashkëta shkencore për trajnimin e mësuesve në Diasporë.
Në këtë takim, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi dhe drejtoresha e Qendrës së Botimeve, znj. Mimoza Hysa vlerësuan rëndësinë e kësaj marrëveshjeje me interes të përbashkët.
Gjatë takimi të zhvilluar në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, ishin të pranishëm edhe zëvendës dekani i Fakultetit te Historisë dhe të Filologjisë Dr. Andi Pinari, përgjegjësja e Departamentit të Letërsisë Prof. Dr. Persida Asllani, përgjegjësja e Departamentit të Historisë Prof. Dr. Valentina Duka, dhe përfaqësues nga Qendra e Botimeve për Diasporën.