Krijimi i Këshillit Koordinues te Arsimtarëve në Diasporës (KKAD).
Diaspora shqiptare, qe jo per fajin e saj, por heshturazi kishte filluar ta humbiste interesin për gjuhen dhe shkollën shqipe, ndersa fëmijët e brezit të dytë kishin filluar ta belbëzonin gjuhën e bukur amtare. Shqipja e bukur filloi të ngelet e mjerë te pjesa më e madhe e fëmijëve mërgimtarë. Duke e parë rënien e numrit, mosinteresimi dhe pjesëmarrjen e nxënësve në kursin e shkollave shqipe, jo vetëm që ishte shqetësuese, por edhe e mjerueshme per faktin se numri i atyre nxënësve që duhet ta vijonin mësimin plotësues në gjuhën shqipe ishte tepër simbolik.
Për këtë shqetësim u krijua një grup mësuesish të devotshëm me përvojë shumëvjeçare ne mësimdhënie ne trojet shqiptare, por qe punojne dhe jetojne ne vende te ndryshme te botes. Ky grup mesimdhenesish kishin një angazhim të përbashkët dëshiren e madhe, për t`i shërbyer me punën e tyre shkollave shqipe në mërgatë si edhe për të qenë sa më afër fëmijëve shqiptarë, që lindin dhe rriten larg atdheut.
Ky grup mësuesish mori nismën me projektin e saj, me fokus në iniciativa për themelimin e një këshilli unifikues për diasporën shqiptare, konkretisht për shkollat shqipe me mësimin plotësues në gjuhën shqipe, e cila do të jetë pjesë e përbashkët e dy Ministrive të Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Themelimi i këtij këshilli u bë më 04.07.2020, në prani të shumë mësuesve të shkollave shqipe në diasporë, nga disa shtete . Kështu që më 4 korrik, nga ky takim doli “Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporë” (KMShD).
Në takimin e rregullt, më 29 tetor 2020, përpos anëtarëve të pranishëm ishin edhe ish Ministri per Diasporen z.Pandeli Majko – Shqipëri dhe ish zv/ministri Bekim Betrovci -Kosovë, gjatë konsultimeve u propozua ndryshimi i emrit KMShD në emërimin “Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë” (KKAD). Me arsyetimin se këshilli duhet të jetë koordinues në platformën unifikues për mbarë diasporën shqiptare, me këto qëllime:
1. Të marrë mbi vete përgjegjësinë (së bashku me institucionet tona përkatëse), që është ëndërr dhe ideal i përbashkët për një mësimdhënie të unifikuar, e të koordinuar, si një faktor i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar, kudo që jemi.
2. Vizioni ynë është që të përfshihemi në hartimin e teksteve dhe zgjedhjeve didaktike për t’i siguruar kompetencat e nevojshme gjuhësore dhe kulturore.
3. Misioni ynë ka për qëllim mbrojtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore.
4. Si objektiv kryesor, kemi krijimin e një ure bashkëpunimi të qëndrueshme në mes të mësuesve të të gjitha shkollave dhe bashkëkombësve, që jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare në diasporë. Kjo, përpjekje jo vetëm që do të ketë rëndësi në themelimin e bashkëpunimit institucional me njëra-tjetrën, por edhe me trojet shqiptare, si faktor i ndryshimit të metodave të mësimdhënies dhe teksteve shkollore.
5. KKAD-ja, ka për detyrë të bashkëpunojë ngushtë dhe institucionalisht, me institucionet tona: Ministritë e Arsimit, ato të Diasporës dhe ato të Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve shqiptare, Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës për të pasur sukses në mbrojtjen dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare për shkollën shqipe në diasporë.
Pas miratimit të këtij emërimi dhe hartimin e projekt-rregullores të KKAD-së, projekt-rregullorja kaloi në rregullore me 14 Nene.
Ne nenin e parë, të pikës tre, në pajtim me pikën 13/5 të vendimit të VKM të Republikës së Shqipërisë thuhet: “Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës bëhet pjesë e konsultimeve dypalëshe, me dakordësim paraprak, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në funksion të marrëveshjeve për mësimdhënien në diasporë”.
Më 25.05.2021 Kryesia e KKAD, përmes platformës virtuale, kishte takim me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, e cila u njoftua për përgjegjësitë që ka marre mbi vete KKAD-ja rreth mësimdhënies të unifikuar e të koordinuar, si një faktor i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe. Duke theksuar se vizioni ynë është që të përfshihemi në hartimin e teksteve dhe zgjedhjeve didaktike për t’i siguruar kompetencat e nevojshme gjuhësore dhe kulturore, me theks të veçantë theksuam se themelimi i KKAD-së lindi si nevojë e domosdoshme me qëllim unifikimin e shkollave shqipe.
Megjithatë porosia ishte e qartë, shkolla shqipe duhet të unifikohet. Ajo nuk duron jo profesionalizëm, grupime apo përpjekje individuale, por duhet të ketë plan programe mësimore të njëjta, tekste shkollore të njëjta, platformë digjitale të njëjtë si edhe dokumenta të njëjte shkollore. Të gjithë shqiptarët kudo që jane dhe jetojnë, flasin të njëjtën gjuhë, sepse kanë të njëjtin identitet kombëtar, pra kanë një Atdhe.
Për KKAD-në primare është të bashkëpunoje ngushtë me institucionet tona: Ministritë e Arsimit, ato të Diasporës dhe ato të Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve shqiptare, Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të pasur sukses në mbrojtjen dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare për shkollat shqipe në diasporë.
Qëllimi
Për prindërit, bashkatdhetarët kudo që janë, u bëjmë thirrje që ta përkrahin nismën tonë e ta kujtojmë thënien e rilindasit Sami Frashërit: “Shenja e kombit është gjuha, kur një komb e humb gjuhën, ai humb edhe veten.” Prandaj së bashku drejt shkollës shqipe, për t’i shpëtuar fëmijët nga asimilimi, humbja e identitetit kombëtar shqiptar.
Administratorët e faqes zyrtare të KKAD-së ftojne të gjithë ata që duan të kontribuojnë në shërbim të gjuhës, historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, t`i bashkëngjiten këtij rrugëtimi të vështirë, por shumë të rëndësishëm për gjeneratat. Fëmijët në mërgatën shqiptare janë duke u ballafaquar me vështirësi të ndryshme në raport me kultivimin dhe ruajtjen e kulturës dhe gjuhës së tyre. Prandaj ejani që së bashku ta realizojmë ëndrrën për një mësimdhënie të unifikuar me qëllim funksionimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, që përmes saj të ruajmë identitetin kombëtar, të mbështetur në baza të përgjithshme, të organizuar më mirë, si në aspektin; didaktik, pedagogjik, linguistik dhe shkencor.
Kjo faqe është e hapur për shkrimet, mendimet, analizat, vërejtjet, kritikat e këshillat e juaja në dobi të kulturës, historisë dhe mësimit plotësues në gjuhën shqipe për mërgatën dhe te gjithe kombit shqiptar nga njohësit e kësaj fushe.
Të gjitha shkrimet të cilat mbrojnë interesin e përgjithshëm kombëtar, në veçanti të gjuhës shqipe dhe mësimit plotësues, në përkrahje të shkollës shqipe në diasporë, jashtë ideologjisë politike dhe asaj fetare, natyrshëm do të gjejnë vend në gazetën online te KKAD-se.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë drejtim, punimet e tyre te na i sjellin në faqen zyrtare.
Për KKAD dhe faqen e saj zyrtare
Mustafë Krasniqi