
Mimoza Hysa
Drejtor
Mimoza Hysa është shkrimtare, përkthyese dhe studiuese shqiptare me veprimtari të gjerë në fushën e letërsisë, përkthimit dhe politikave kulturore. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Italiane në Universitetin e Tiranës dhe është specializuar në Kulturë dhe Letërsi Italiane në universitetin ICoN në Siena, Itali. Ka mbrojtur doktoratën në Shkenca Letrare me fokus mbi filozofinë në veprën e Isuf Luzajt.
Ka përkthyer mbi 50 vepra të letërsisë italiane nga autorë si Buzzati, Tabucchi, Leopardi, Montale, Baricco, Magris etj,. Si autore, ka botuar vëllime të vlerësuara nga kritika si “Koha e erës”, “Vend/imi”, “Histori pa emra” dhe “Bijat e gjeneralit”, e fundit e përkthyer në disa gjuhë.
Në fushën akademike ka botuar monografinë “Esenca dhe ekzistenca e Isuf Luzajt” dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore. Ka krijuar dhe moderuar formate televizive për letërsinë dhe ka hartuar nisma të rëndësishme si “Takohemi për një libër”, rezidenca “Fan Noli”, si dhe fondet kombëtare për përkthim dhe krijimtari.
Ka punuar si Këshilltare për çështjet e librit dhe ka drejtuar për katër vite Drejtorinë e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit në Ministrinë e Kulturës.
Është vlerësuar me disa çmime të rëndësishme, si Çmimi “Ernest Koliqi” (2005), Çmimi i Madh për Përkthyesin e huaj nga Ministria Italiane e Kulturës (2014), dhe “Përkthyesja e Vitit” nga Akademia Kult (2018).