Mimoza Hysa

Drejtore

Znj. Mimoza Hysa ka lindur më 6 gusht 1967 dhe ka një përvojë të gjatë profesionale në fushën e letërsisë, përkthimit, arsimit dhe politikave publike për librin dhe gjuhën shqipe.

Ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, në degën Gjuhë italiane. Ka vijuar studimet pasuniversitare në Itali dhe Shqipëri, duke përfunduar Master në Studime Letrare dhe më pas Doktoraturën në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me temë mbi mendimin filozofik në krijimtarinë e Isuf Luzajt, vlerësuar me rezultate maksimale. Gjithashtu ka kryer studime në didaktikën e gjuhës italiane në Universitetin për të Huaj të Sienës dhe në programe universitare italiane.

Ka ushtruar veprimtari për disa vite në mësimdhënie, fillimisht si pedagoge e gjuhës italiane në Universitetin e Tiranës, më pas në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në arsimin e mesëm, duke ndërtuar një përvojë të qëndrueshme në fushën e edukimit gjuhësor.

Si përkthyese dhe autore, ka përkthyer në gjuhën shqipe një numër të konsiderueshëm veprash nga autorë italianë dhe europianë, ndër të cilët Antonio Tabucchi, Claudio Magris, Eugenio Montale, Alessandro Baricco dhe Dino Buzzati. Është autore e disa veprave letrare në prozë dhe e studimeve në fushën e letërsisë. Veprimtaria e saj është vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Çmimin e karrierës për përkthim nga Ministria e Kulturës Italiane (2014) dhe çmimin “Përkthyesja e vitit” nga Akademia KULT (2018). Veprat e saj janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja, përfshirë italishten, gjermanishten, rumanishten, greqishten dhe maqedonishten.

Ka qenë e ftuar si autore dhe përkthyese me bursë në rezidenca ndërkombëtare në Itali dhe Zvicër, përfshirë Shtëpinë e Përkthimit në Romë dhe në Looren. Ka marrë pjesë si autore e ftuar në festivale ndërkombëtare të letërsisë dhe përkthimit, si dhe në konferenca dhe seminare ndërkombëtare në fushën e përkthimit dhe letërsisë. Ka qenë pjesëmarrëse në borde drejtuese, juri çmimesh letrare dhe projekte ndërkombëtare në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Në administratën publike, ka ushtruar funksione drejtuese në Ministrinë e Kulturës, fillimisht si këshilltare pranë Ministrit të Kulturës, dhe më pas si Drejtoreshë e Drejtorisë së Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit, ku ka punuar në hartimin dhe zbatimin e politikave për librin, përkthimin dhe promovimin e letërsisë shqipe. Në këtë rol ka ideuar dhe zhvilluar instrumente mbështetëse si Fondi Kombëtar i Përkthimit Letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaja, Fondi i Krijimtarisë Letrare dhe Fushata Kombëtare e Leximit “Takohemi për një libër”, si dhe ka kontribuar në përfshirjen e Shqipërisë në programe e rrjete ndërkombëtare si “Europa Krijuese” dhe TRADUKI, dhe në prezantimin e letërsisë shqipe në panaire ndërkombëtare si Salloni i Torinos dhe Panairi i Leipzig-ut.

Më pas ka ushtruar detyrën e Drejtoreshës së Drejtorisë së Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës në Ministrinë e Kulturës, ku ka bashkërenduar proceset e integrimit europian në fushën e kulturës, përafrimin e legjislacionit dhe menaxhimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Europian në kuadër të programeve IPA.

Që prej vitit 2019 ushtron detyrën e Drejtores së Qendrës së Botimeve për Diasporën, ku drejton veprimtarinë institucionale për mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Në këtë kuadër, ka koordinuar hartimin dhe botimin e teksteve për diasporën dhe bashkëpunimin Shqipëri–Kosovë për tekstet e unifikuara, ka drejtuar zhvillimin e programeve të botimeve dygjuhëshe, ka iniciuar projektin e rezidencës për përkthyes nga gjuha shqipe në gjuhë të huaja, si dhe ka kontribuar në krijimin dhe zhvillimin e botimeve periodike “Letra nga Diaspora” dhe “Flasim shqip”. Gjithashtu, ka koordinuar botimin, shpërndarjen e librave dhe zhvillimin e materialeve didaktike e digjitale për shkollat shqipe jashtë vendit, si dhe ka ideuar dhe drejtuar projekte si “Biblioteka shqip”, “Shqipja në diasporë” etj.