Më 9 dhe 10 mars 2024, në qytetin e Augsburgut, pranë Mynihut në Gjermani, u zhvillua Kuvendi i Punës për Mësimin Plotësues në Diasporë, një iniciativë e organizuar nga Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD), në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën (QBD).
Ky kuvend mblodhi së bashku përfaqësues të mësuesve dhe organizatave arsimore nga vende të ndryshme si: Italia, Greqia, Zvicra, Turqia, Gjermania, Anglia, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Franca, Danimarka, Amerika, Austria e të tjerë.
Në fokus të diskutimeve ishin sfidat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, përfshirë nevojën për mbështetje institucionale, zhvillimin profesional të mësuesve, pajisjen me materiale mësimore bashkëkohore dhe forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit ndërmjet mësuesve të diasporës. Kuvendi prodhoi propozime konkrete për përmirësimin e kushteve dhe organizimit të mësimdhënies, me synim ruajtjen dhe përçimin e gjuhës e kulturës shqiptare ndër brezat e rinj jashtë vendit.