Në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, më 21 dhe 22 nëntor 2024, në ambientet e Pallatit të Brigadave, u zhvillua Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe. Ky aktivitet shërbeu si një platformë e rëndësishme për të trajtuar sfidat dhe perspektivat e gjuhës shqipe në shekullin XXI.

Ndër diskutimet më të spikatura ishte tryeza me temë “Gjuha shqipe në diasporë”, e cila u përqendrua në sfidat e mësimit plotësues të shqipes jashtë atdheut. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për institucionalizimin e mësimdhënies në diasporë, domosdoshmërinë e rritjes së cilësisë nëpërmjet kualifikimit të vazhdueshëm të mësuesve, si dhe rëndësinë e hartimit dhe përmirësimit të teksteve mësimore.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e krijimit të një rrjeti bashkëpunimi ndërmjet katedrave të gjuhës shqipe, departamenteve dhe programeve akademike brenda dhe jashtë vendit, me kurset dhe shkollat e gjuhës shqipe, si edhe me shoqatat dhe lidhjet e mësuesve të diasporës, kudo ku ata veprojnë.