Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD) shpall ftesën për konkurrim për përzgjedhjen e 8 (tetë) bashkëpunëtorëve të jashtëm, përkthyes, për përkthimin nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj, përkatësisht në: italisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, greqisht, suedisht, holandisht, kroatisht, të tekstit “Mësojmë shqip – Tungjatjeta!”, niveli A1.
Janë të ftuar të aplikojnë të gjithë personat që plotësojnë kërkesat e mëposhtme:
Kërkesa të përgjithshme:
· Të ketë mbaruar arsimin e lartë;
· Të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë;
· Të zotërojë certifikatë ose diplomë për njohjen e gjuhës së huaj përkatëse;
· Të ketë përvojë në përkthim ose në punë me materiale didaktike;
· Të ketë njohuri të strukturës së kurrikulës dhe të specifikave të mësimdhënies për nxënësit dygjuhësh.
· Të mos ketë qenë i/e dënuar apo të mos jetë në ndjekje penale.
Kërkesa të veçanta:
· Të ketë mbaruar arsimin e lartë në ciklin/profilin përkatës dhe të jetë i pajisur me diplomë;
· Të jetë njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe dhe i gjuhës së huaj përkatëse të kërkuar;
· Të ketë përvoja të mëparshme të ngjashme në fushën e përkthimeve nga gjuha shqipe në gjuhën përkatëse të kërkuar (të dokumentuara);
· Të ketë veprimtari të spikatur në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë.
Dokumentet e nevojshme për kandidatin/kandidaten për përkthyes, që të pranohet në konkurrim, duhet të jenë si më poshtë:
1. Jetëshkrimi (CV);
2. Fotokopje e kartës së identitetit;
3. Fotokopje e diplomës së arsimit të lartë;
4. Çdo dokument tjetër që vërteton kontributin në fushën e përkthimeve nga gjuha shqipe në gjuhën përkatëse;
5. Çdo dokument tjetër që vërteton kontributin në fushën e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve për pjesëmarrje në konkurrim është data 29.05.2026.
Dokumentet duhen dërguar në adresën e emailit të QBD-së: info@qbd.gov.al.
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Qendra e Botimeve për Diasporën do t’i njoftojë kandidatët pjesëmarrës në konkurrim individualisht nëpërmjet adresës së emailit.